Esat Mala e Redon Xhixha pajtohen me pikën, Vllaznia shënjestra

schedule18:44 - 27 Shkurt, 2021

schedule 18:44 - 27 Shkurt, 2021

Esat Mala dhe Redon Xhixha ishin kundërshtarë në fushë ditën e sotme, ndërsa më parë kanë qenë shokë skuadre te Shkëndija e Tiranës. Pas barazimit 1-1 mes Partizanit dhe Laçit, në emisionin “Gol pa Goli” ata u zgjodhën lojtarët më të mirë të ndeshjes.

Mesfushori i Partizanit, në lidhje me ndeshje u shpreh: “Me thënë të drejtën, si shkoi ndeshja, ishte e luftuar dhe dy skuadrat treguan se duan të jenë lart. Me dëshirën time them se lamë dy pikë. Duhet të pajtohemi me një pikë, si shkoi ndeshja. Renditja tregon kush është kundërshtari më i vështirë”.

Më pas e mori fjalën Xhixha, i cili shtoi: “Normalisht vendosja taktike ka të bëjë. Po luaja sulmues qendre në fillim, pastaj kalova në krah. Aty është pozicioni im perfekt. Kishim ardhur për fitore, por edhe një pikë mirë ishte. Mala më ka asistuar gjithmonë te Shkëndija, mbetet një djalë perfekt”.

Dy lojtarët në fund folën edhe për Vllazninë, me Malën që deklaroi: “Mendoj se Vllaznia e nisi mirë, por ne i shfrytëzuam gabimet që kanë bërë. Do ndeshemi me ta sërish dhe mund të rikuperohet”. Sulmuesi i Laçit në fund shtoi: “E tha edhe Mala, janë paraqitur mirë në fillim. Shpresojmë të gabojnë sërish dhe të dalim të parët”. /abcnews.al