Ermal Meta pezullohet nga Sanremo

schedule22:43 - 7 Shkurt, 2018

schedule 22:43 - 7 Shkurt, 2018

Këngëtari shqiptar, Ermal Meta, është pezulluar nga festivali i Sanremos. Kënga e tij e kënduar në duet “Nuk më keni bërë asgjë”, rezulton e ngjashme me një këngë të paraqitur në viti 2016, po në këtë festival, në edicionin e të rinjve.

Këngëtari shqiptar, Ermal Meta, duket pa fat në paraqitjen e tij në edicionin e këtij viti të festivalit italian të këngës. Meta performoi në duet me Fabrizio Moron në natën e parë këngën “Nuk më keni bërë asgjë”. Por në orët e vona të mbrëmjes nisën akuzat se ajo këngë nuk ishte e re, pasi refreni kishte ngjashmëri me atë të një kënge tjetër me titull “qetësi” e kënduar tre vite më parë nga dueti Ambra Calvani dhe Gabriele De Pascali në seksionin e të rinjve në Sanremo.

Për pasojë, çifti Meta-Moro janë pezulluar nga gara nga organizatorët, me dakordësinë e drejtorisë artistike në pritje të verifikimeve të mëtejshme. Për pasojë, ata nuk do këndojnë në natën e dytë të festivalit.
Ngjashmëria mes dy këngëve është mbresuese si në muzikë ashtu edhe në tekst. Rregullorja e Sanremos parashikon që këngët në garë të jenë të reja, e asnjë pjesë e tyre të mos jetë publikuar më parë. Nëse provohet se ka ndodhur kështu, Meta dhe Moro do skualifikohen.

Në konferencën e parë për mediat të mërkurën, RAI ka sqaruar pozicionin e tij paraprak sipas të cilit “nuk bëhet fjalë për plagjiaturë, pasi të dy këngët kanë të njëjtin autor dhe rregullorja e parashikon mundësinë e përdorimit të fragmenteve të autorëve të tjerë, deri në 30% të këngës. Për pasojë kënga i ka të gjitha parametrat e një produkti të ri ka deklaruar zv/presidenti i Rai 1, Claudio Fazulo. Febo, autori i këngëve e ka shpallur ripunimin e këngës së tij të vitit 2016. Tani, RAI po bën vlerësimet e nevojshme, shton ai. Edhe drejtori artistik i Sanremos dhe moderator kryesor, artisti i njohur, Cladio Baljoni, ka kërkuar kujdes në vlerësime mbi këtë çështje.

Vetë Ermal Meta në një postim në Facebook refuzon akuzat për plagjiaturë dhe sqaron se ai dhe kolegu i tij, Andrea, kanë përdorur një pjesë të këngës së tre viteve më parë, e cila u skualifikua në seksionin e të rinjve në sanremo e nuk u komercializua kurrë. E përdorëm thotë Meta se nuk donim që të shkonte dëm një këngë aq e bukur dhe këtë e kemi deklaruar në shumë intervista tonat. Bashkë me autorin e asaj kënge, Andrea Febo, kemi shkruar një këngë të re e me një domethënie krejt tjetër. Kënga “Nuk më keni bërë asgjë” trajton ndjeshmëritë shoqërore nga aktet terroriste e sipas këngëtarëve, ka lindur pas atentatit terrorist në Mançester në 22 Maj të vitit të kaluar, në koncertin e Ariana Grandes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!