Erdogan i kërkon Putinit të lejojë dërgimin e ndihmave në Siri

schedule18:05 - 11 Korrik, 2022

schedule 18:05 - 11 Korrik, 2022

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën, më 11 korrik, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të zgjerojë autorizimin për kalimin e kufirit për dërgesat humanitare brenda Sirisë.

Kjo kërkesë e Erdoganit vjen teksa diplomatët po tentojnë që të gjejnë zgjidhje që do të mund të shmangte veton ruse dhe do të mundësonte vazhdimin e dërgimit të ndihmës humanitare në Siri.

Erdogan theksoi se ai i kushton rëndësi të madhe zgjerimit të mekanizimit për kalimin e kufirit në Siri”, tha zyra e tij përmes një deklarate, pas bisedës telefonike midis liderëve.

Kjo bisedë vjen pasi të dielën ka skaduar mekanizmi që lejon dërgimin e ndihmave humanitare në Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Kufiri midis Turqisë dhe Sirisë, përkatësisht pikëkalimi kufitar i Baba al-Hava është rruga e vetme që Kombet e Bashkuara të dërgojnë ndihmë për civilët, pa kaluar përmes territoreve të kontrolluara nga forcat e Qeverisë siriane.

Rusia, aleate e regjimit në Siri, ka përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të kundërshtuar propozimet perëndimore që ky pikëkalim kufitar të mbahet i hapur edhe për një vit.

Mosmarrëveshjet për këtë çështje vijnë në kohën kur tensionet diplomatike janë të larta për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Në të kaluarën, Këshilli i Sigurimit kishte zgjatur mekanizimin e kalimit të kufirit dhe ka ende shpresë se një votim për këtë gjë mund të ndodhë gjatë kësaj jave./REL/