Dopieta e “yllit” francez, Kylian Mbappe, si dhe një gol i Zaire-Emery i dha “gjigantëve” të Paris Saint-Germain, një fitore tepër të vyer në transfertën e Brest, në sfidën e vlefshme për javën e 10 të Ligue 1, sfidë e cila përfundoi me rezultatin, 2 me 3.
Mirëpo, pavarësisht fitores, skuadra nuk performoi siç duhet, të paktën kështu është shprehur tekniku i “parisienëve”, Luis Enrique, i cili pas ndeshjes është shprehur se te ekipi i tij diçka nuk po shkon mirë.
“Mbappe ishte vendimtar dhe goli i tij na kënaqi pafundësisht shumë sepse ishte një sukses i rëndësishëm për ne. Ne e nisëm shumë mirë, por në pjesën e dytë Brest luajti shumë mirë dhe mund të them që kjo fitore tregoi edhe limitet tona.
Unë mendoj se diçka nuk po shkon shumë mirë sepse ne nuk mund të vuajmë gjithmonë për të fituar dhe nuk do të ishte çudi edhe sikur Brest te fitonte, luajtën një ndeshje të madhe. Duhet të punojmë që këto ndeshje të mos përsëriten më, kemi potencial dhe shumë shpejt besoj se do të jemi në formën e duhur”,- u shpreh tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al