Në pritje të bisedës telefonike mes kryeministrit maqedonas, Zaev dhe atij grek, Tsipras, mediat maqedonase raportojnë se zgjidhja përfundimtare për çështjen e emrit është shumë pranë. Por Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, ka theksuar se nuk do të pranojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Mediat maqedonase raportojnë se do të jetë pikërisht biseda telefonike mes kryeministrit të Maqedonisë Zaev dhe homologut të tij grek që do të përbëjë hapin përfundimtar drejt zgjidhjes së cështjes së emrit. Zaev nuk dha detaje për propozimin aktual në tryezën e negociatave për emrin dhe nëse vlen akoma marrëveshja paraprake gjithëpërfshirëse.
Ai konfirmoi se në rast se gjendet gjuha e përbashkët me homologun grek, Tsipras, do të bisedojë edhe për afatet e realizimit të marrëveshjes. Zaev në këtë mënyrë vërtetoi se janë të sakta informacionet që qarkullojnë në media, se plani i realizimit do të përmbajë 11 pika, mes të cilave dhe ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend dhe anëtarësimi në NATO në korrik, ndërsa referendum do të mbahet në Shtator ose Tetor.
Nga ana e tij, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, tha se zgjidhja përfundimtare e çështjes së emrit të Maqedonisë është shumë pranë. Ai theksoi se negociatat janë të vështira, por zgjidhja është e domosdoshme.
Edhe pse kryeministrat kanë hezituar të konfirmojnë, propozimi që ditët e fundit përflitet në media është “Republika e Maqedonisë Veriore”. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov, pritet të takojë Presidentin Ivanov për ta informuar për negociatat për emrin. Ky i fundit një ditë më parë kërkoi të informohet për rrjedhën e bisedimeve. Por Ivanov bëri të qartë se nuk do të pranojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse./abcnews.al