Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar punonjësin e Gardës Inspektor Ergi Ismaili, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.
Arrestimi u bë i mundur pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.4 në lidhje me ngjarjen e datës 09/02/2025, ku gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Partizani-Tirana, ka patur përplasje të dhunshme mes tifozëve, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime fizike të disa personave në stadium, përfshirë edhe një punonjës të sigurisë së stadiumit edhe një punonjësi policie.
Krahas Ismailit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, për të njëjtat vepra penale.
Ndërkaq, mes të proceduarve, është sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani, dhe një delegat nga FSHF, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Gjatë procesit të hyrjes së tifozëve dhe para fillimit të ndeshjes, u shënuan disa incidente mes dy tifozërive, të cilat kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të policisë për neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.
Ndeshja u zhvillua pa incidente gjatë lojës, megjithatë, për shkak të tensioneve të krijuara më herët, u identifikuan disa shtetas të përfshirë në akte dhune, të cilët u shoqëruan nga policia në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë private (SHPSF).
Sipas policisë, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre./abcnews.al