EMRI/ Qëlloi me armë dhe terrorizoi zonën, arrestohet 43-vjeçari në Shkodër

schedule21:21 - 25 Tetor, 2023

schedule 21:21 - 25 Tetor, 2023

Arrestohet Balil Murataj. Gazetari Simon Shkreli tha për ABC se 43-vjeçari terrorizoi zonën e Bardhajve gjatë gjithë pasdites së sotme.

Në ecje e sipër me automjetin e tij ai qëlloi në ajër me armë zjarri. Ndërkohë pas sinjalizimeve nga banorët policia e Shkodrës ka bërë arrestimin e tij.

Kujtomë se ditën e sotme policia ka zhvilluar një aksion  në akset rrugore në Shkodër, me qëllimin kapjen e personave me precedentë penale si edhe personat e shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Qëllonte me armë zjarri, në ajër, duke terrorizuar banorët e zonës, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 43-vjeçari.

Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe 2 grupe të RENEA-s dhe të FNSh Shkodër.

Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit kalashnikov dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bardhaj ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, bashkë me shërbime të FNSh Shkodër, për të verifikuar rastin.

Nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari kishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, duke terrorizuar banorët.

Në ndihmë të Policisë lokale shkuan dhe dy grupe të RENEA-s.

Si rezultat i kontrolleve në territorin e fshatit, pas disa orësh, u kap shtetasi  43 vjeç, që kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri.

Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit automatik që ai e kishte fshehur në pyll sapo ka parë që ishte rrethuar nga shërbimet e Policisë.

Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi , 43 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, u arrestua në flagrancë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!