EMRAT / Protesta në sheshin Skënderbej për heqjen e karantinës, Policia: Janë proceduar penalisht 7 persona

schedule08:33 - 8 Maj, 2020

schedule 08:33 - 8 Maj, 2020

Ditën e djeshme disa aktivistë organizuan një protestë në sheshin Skënderbej kundër masave shtrënguese të vendosura nga qeveria për shkak të pandemisë.

Gjatë grumbullimit policia u ka bërë thirrje të shpërndaheshin por ata kanë bërë rezistencë duke bërë që 7 prej tyre të shoqërohen në komisariatin nr.3.

Sipas policisë 3 organizatorët e tubimit janë Zace Islami, Klajdi Bello, Sazan Guri të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

7 të shoqëruarit akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe organizim e pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

Njoftimi i Policisë: 

Organizuan protestë të paligjshme, procedohen penalisht 7 persona, ndërmjet tyre edhe 3 organizatorët e tubimit.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, proceduan penalisht në gjendje të lirë 7 shtetas.

Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.

Shtetasit Z.I., K.B. dhe S.G., në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.

Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.

Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Po punohet për masat plotësuese sipas Aktit Normativ, si dhe për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar nga ana e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.

Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./abcnews.al