OFL i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë dy vëllezërve nga Berati të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.
Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për Ervis dhe Leonat Gavelli. Leonati u rëmbye në vitin 2015 në Tiranë për t’u liruar disa kohë më vonë.
Leonat Gavelli, tani 48 vjeç, u rrëmbye në mars 2015 në zonën e “Komunën e Parisit” në Tiranë për t’u liruar disa orë më pas në Farkë.
Të nesërmen e rrëmbimin ai u paraqit në polici duke deklaruar se e kishin ngatërruar me të vëllain duke mos dhënë shpjegime të tjera.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të mbrëmjes së datës 18 mars, kur katër persona të armatosur që lëviznin me dy automjete kanë marrë peng 48 vjeçarin me origjinë nga Berati.
Gavelli është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare që prej vitit 2007.
Ai është hetuar si pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Kolumbia në Itali dhe Zvicër, duke përdorur korrierë kolumbianë dhe italianë.
Sipas dosjes së drejtësisë italiane që u vu në dispozicion të prokurorisë shqiptare në vitin 2007, Leonat Gavelli së bashku me vëllain e tij, Bledar Gavelli dhe një kushëririn e tyre ishin pjesë e një rrjeti narkotrafiku me aktivitet në Itali dhe Zvicër.
Njoftimi i plotë
Vijon Operacioni Forca e Ligjit.
Në zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
E. G., banues në Berat, dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
L. G., banues në Berat, dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.