Sandri Krasta dhe Armando Çallëku të moshave 31 dhe 19 vjeç janë arrestuar nga policia pasi janë kapur duke udhëtuar me një automjet ndërkohë që me vete kishin armë dhe drogë. Policia njofton se ata janë ndaluar nga blutë e Korçës dhe gjatë kontrolleve iu është gjetur një armë sportive tip pistoletë, një krëhër me 8 fishekë dhe disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Prodhimi e shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”. Ndërkohë materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
“Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së drogave të forta, në pranga 2 shtetas. Qarkullonte me armë pa leje dhe lëndë narkotike në mjetin e tij, vihet në pranga poseduesi i tyre.
Arrestohet në flagrancë edhe shoku i tij për “Moskallëzim krimi”. Sekuestrohen një armë sportive, një krëhër me municion pa leje dhe disa doza me lëndë narkotike kokainë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se dy shtetas po qarkullonin me armë dhe drogë në një automjet tip “Benz”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit në lagjen nr. 9, Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin A. Ç., 19 vjeç, banues në Durrës dhe me pasagjer pronarin e mjetit, shtetasin S. K., 31 vjeç, lindur në Pirg, Korçë dhe banues në Durrës, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive tip pistoletë, një krëhër me 8 fishekë dhe në sendet personale të shtetasit S. K., u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve S. K. dhe A. Ç.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Prodhimi e shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”, njofton policia./mv.abcnews.al