Përgjegjësi i sigurisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Reç u dhunua fizikisht nga dy të paraburgosur, për të cilët u morën masa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Françesko Doçi dhe Ardian Gjoka kundërshtuan me forcë punonjësin e policisë, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe më pas shkatërruan disa objekte në IEVP Reç, mes të cilave edhe derën e një tualeti.
Pas marrjes së njoftimit nga punonjësit e sigurisë, Drejtoria e Përgjithme mori masat, duke vendosur të izolojë dy të paraburgosurit për një periudhë 3 mujore. Ata po ashtu u transferuan në IEVP 313 në sektorin e sigurisë së lartë, aty ku do të qëndrojnë përkohësisht deri në një vendim të dytë të drejtorisë së burgjeve.
Ndaj Françesko Doçit dhe Ardian Gjokës ka nisur një procedim për tre vepra penale, teksa po kryhen verifikime edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve sa i përket kryerjes së veprës penale ‘Goditje për shkak të detyrës’.
Ky nuk është rasti i parë që këta dy të paraburosur dhunojnë një person. Një javë më parë, në IEVP Reç është regjistruar një episod i ngjashëm, ku Doçi dhe Gjoka dhunuan një tjetër individ. Të dy ata njihen si persona problematikë, të cilët herë pas here kanë shkaktuar trazira brenda burgut.


