Petrit Ndoci, i dënuar për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”, është shpallur në kërkim nga autoritetet pasi nuk është kthyer në burgun e Reçit pas përfundimit të lejes.
Ndoci duhej të paraqitej sot, në orën 12:30, në institucionin e vuajtjes së dënimit, por nuk është kthyer në burg. Për pasojë, ai është shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake, vëllai i tij ka deklaruar se Ndoci kishte lënë një letër për familjarët, në të cilën shkruante: “Po largohem, ju dua shumë.”
Ndoci po vuante dënimin për “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se atij i kishin mbetur rreth dy vite burgim për të përfunduar dënimin.
Autoritetet kanë nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.


