“Emigrantët të depozitojnë paratë në banka”, Rama apel biznesmenëve: Mos bëni shaka që do ju kushtojnë shumë

schedule11:51 - 2 Mars, 2020

schedule 11:51 - 2 Mars, 2020

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Rama është ndalur edhe njëherë tek amnistia jashtë sistemit. Kjo është nisma më e re e qeverisë ende në fazën e projektimit, ku do të aplikojë një amnisti për të kanalizuar në sistem sipas tij të gjitha paratë e emigrantëve që mbahen jashtë për shkak se nuk i kanë patur të deklaruara.

Rama theksoi se emigrantët të cilët kanë punuar në të zezë, por kanë vënë pasuri të ndershme duhet t’i depozitojnë në banka. Ndërkaq, sipas tij të gjithë ata që i kanë paratë nga krimi janë të pa amnistueshëm.

Këtë çështje ne e kemi adresuar dhe kemi filluar një betejë. Institucionet e tjera të drejtësisë dhe SPAK janë vënë në lëvizje të plotë. Të gjitha dosjet me kërkesat për sekuestrim po trajtohen nga SPAK. Askush nuk do të shpëtojë nga rrjeta e OFL lidhur me asetet e vëna me krim, por natyrshëm kjo ka krijuar një pasiguri e cila nuk ka bazë sepse OFL nuk ka subjekt të veprimtarisë ata që kanë kryer krime.

Të gjithë ata që janë shqetësuar se kanë para të fituara nga puna në të zezë janë vënë në njëlloj pasigurie. Për të adresuar këtë pasiguri dhe për të njohur të drejtën e atyre që vijnë nga djersa e punës së ndershme, të gjithë emigrantëve që kanë kaluar kufirin, nuk i ka pritur njeri me krah hapur por kanë bërë gjithë çfarë punësh. Këto janë kursime të ndershme për të cilët ne do të hapim rrugën e  futjes nëpër banka. Të gjithë ata që i kanë paratë nga krimi janë të pa amistueshëm.  Për këtë kategori nuk ka amisti”, tha Rama.

Shefi i qeverisë ka dërguar mesazh të fortë të gjithë biznesmenëve shqiptarë që kanë asete jashtë vendit, të përfitojnë nga amnistia fiskale dhe t’i deklarojnë pasi në të kundërt, do u kushtojë shumë shtrenjtë.

Pasi mbaron, çdo para e aset që është jashtë sistemit të formalizuar, konsiderohet para kriminale dhe aset kriminal dhe trajtohet njësoj si paratë e asetet e krimit, s’ka më asnjë tolerancë nga shteti, ne po përgatitemi të hyjmë në tjetër nivel që lidhet me nevojën që ka vendi dhe me përputhjen e sistemit të kontrollit që do të kërkohet të regjistrohen, këtu në Shqipëri, asetet e të ardhurat që emigrantët shqiptarë kanë jashtë vendin, e shteti do ketë kapacitetin që të kontrollojë të ardhurat e asetet e shtetasve të vet jashtë vendit. Ndaj gjej rastin ti bëj thirrje të gjithë biznesmenëve me asete jashtë vendit ti deklerojnë duke përfituar nga amnistia, mos bëjnë shaka që mund tu kushtojë shumë shtrenjtë pas përfundimit të amnistisë”, është shprehur kryeministri Rama.

Amnistia tha Rama do përgatitet shumë shpejt dhe pritet të shkojë në parlament edhe pas diskutimeve me grupet e interesit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!