Emigracioni, sekretarja amerikane kontestohet në restorantin meksikan

schedule20:27 - 20 Qershor, 2018

schedule 20:27 - 20 Qershor, 2018

Është lodhur shumë për të garantuar zbatimin e politikave të presidentit Trump për emigracionin, por ka zgjedhur vendin e gabuar për t’u çlodhur. Sekretarja për sigurinë e Brendshme, Kirstjen Nielsen është kontestuar kur ka shkuar për darkë në një restorant meksikan.

E zgjedhura e Trump për zbatimin e politikave kundër emigracionit klandestin është kontestuar nga një grup protestuesish në lidhje me praktikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre. Si për ironi të fatit, kontestimi ka ndodhur në një restorant meksikan, ku sekretarja për Sigurinë e Brendshme Kirstjen Nielsen kishte shkuar për të ngrënë darkë.

“Turp! Si mund të hash rehat në një restorant meksikan, kur ti po deporton dhe po burgos dhjetëra mijëra njerëz që vijnë nga ky vend”, i ka bërtitur një protestues sekretares.

“Nëse fëmijët nuk mund të hanë rehat, as ti nuk do të hash rehat”, ka bërtitur një tjetër.

Manifestuesit kanë vënë edhe një material filmik ku tregoheshin fëmijët që qanin pasi ndaheshin nga prindërit e tyre në kufirin SHBA-Meksikë. Zonja Nielsen fillimisht i ka duruar protestat, por më pas është larguar nga restoranti e shoqëruar nga një grup truprojash dhe bashkëpunëtorët e saj.

Administrata Trump po përballet me presion ndërkombëtar për të hequr dorë nga praktika e ndarjes së fëmijëve të emigrantëve nga prindërit. Mes tyre përfshihen edhe fëmijët e sapolindur dhe ata në moshë të njomë që më pas dërgohen në qendra të ngritura posaçërisht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!