Embolia pulmonare, Dr. Alfred Nona: Një nga shkaktarët kryesor të vdekjeve, lidhja me Covid-19

schedule08:54 - 18 Janar, 2022

schedule 08:54 - 18 Janar, 2022

Dr. Shk. Alfred Nona, mjek kardiolog pranë “Spitalit Amerikan 1” ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku foli për embolinë pulmonare, shkaqet dhe rreziqet që sjell. Dr. Nona shpjegoi se embolia pulmonare është një ndër shkaktarët kryesorë për mortalitet dhe me Covid-19, shifrat janë rritur. Embolia pulmonare mund të rezultojë fatale për shkak të bllokimit të rrjedhës së gjakut, të shkaktuar si rezultat i mpiksjes së gjakut.

Ndër simptomat tipike janë vështirësia në frymëmarrje, dhembje në kraharor, depulesë, këputje etj por pacientët mund të jenë dhe asimptomatik.Dr. Alfredi thekson se trajtimi në kohë zvogëlon ndjeshëm rrezikun e vdekjes. Mjeku theksoi gjithashtu se shumë pacientë me Covid-19 pësojnë emboli pulmonare. Sipas tij, kjo sëmundje ndodh shpesh te personat e imobilizuar, pra që nuk kryejnë aktivitete fizike.

“Faktorët e rriskut janë imobilizimi në vetvete. Nëse pacienti është i shtuar për insuficiencë kardiake, respiratore, ka pësuar një infarkt dhe qëndron i pamobilizuar për një kohë të gjatë. Faktorë të tjerë janë ndërhyrjet ortopedike. Nëse ka pësuar traumë automobilistike, nëse bën ndërhyrje kirurgjikale ortopedike, favorizojnë trombozën në sajë të Triade di Virchow.

Për femrat në moshë të reja, përdorin dhe pilulën anti koncensionale, kjo favorizon trombozat. Gjithashtu tumoret, përdorimi i disa pajisjeve që përdorim në zemër mund të japin emboli dhe shumë sëmundje të tjera që e favorizojnë trombozën. Është dhe Covid-19, një virus që favorizon trombozë në nivel periferik apo qëndror.”, tha mjeku.

“Sa i përket prognozës, embolia pulmonare ka pasur një mortalitet diku te 11 përqind përpara pandemisë, shifrat janë më të larta tani. Një pjesë e pacientëve, gati 1/3 e tyre humbin jetën pa arritur në spital ose kur arrijnë dhe nuk është bërë trajtimi akoma, kur nuk ka pasur kohë trajtimi që të veprojë, mortaliteti arrin deri në 15 përqind nga embolia pulmonare.

Verifikimi i rasteve është rritur në mënyrë dramatike sepse kapaciteti diagnostikues është shumë herë më i lartë. Mortaliteti ka ardhur në rënie, ka qenë më i lartë 20 vite më përpara por ka rënie. Kur flasim për mpiksje të gjakut, duhet të shkrijmë këtë gjak të mpiksur dhe duhet të përdorim antikoagulantë. Në bazë të klasifikimit me risk të lartë për vdekshmëri, të mesëm ose të ulët japim terapinë.

Një pacient me risk të lartë për mortalitet akut apo brenda 30 ditëve përdorim trombolitët, holluesit e gjakut më potentë që kemi në dispozicion. Përdorim medikamente të ndryshme në bazë të fillesës së trombozës. Pacientët me risk të lartë përdorin rtPA që përdoret brenda dy orëve. Nëse tromboliza nuk funksionon kalojmë në etapa të tjera. Bëhet kirurgjia Open dhe hiqet gjaku në mënyrë mekanike.”, tha Dr. Alfredi duke shtuar se kirurgjitë janë më të rralla pasi zakonisht terapitë funksionojnë.

Më tej, Dr. Nona shpjegoi se si shkaktohet hipertensioni pulmonar. “Nëse një gjak i mpiksur nuk është shkrirë siç duhet, ai ngushton enët e gjakut dhe fibritizohet. Nuk shkrihet me hollues dhe jep hipertension pulmonar kronik tromboembolik. Ky lloj është i vetmi që mund të shërohet dhe bëhet një ndërhyrje kirurgjikale.

Hipertensioni është i rëndësishëm se i shkurton jetën pacientin nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur. Identifikohet në bazë të një eko kardiograme, me një skaner për të parë nëse ka ngelur gjak i mpiksur dhe nuk është pastruar siç duhet. Atëherë bëhet kateterizimi i zemrës së djathtë dhe vendoset nëse duhet bërë ndërhyrje për pastrimin e enëve të gjakut. “, shpjegoi Dr Alfredi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!