Ekzekutimi mafioz në Vlorë, pista kryesore, misteri dhe e shkuara e “The Boss”

schedule19:31 - 10 Maj, 2021

schedule 19:31 - 10 Maj, 2021

Asnjë gjurmë nga vrasësit e biznesmenit vlonjat mesditën e sotme në qytetin bregdetar. Bledar Birçaj u ekzekutua me armë sot në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë. 38-vjeçari ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip “BMW” kur persona ende të paidentifikuar e qëlluan me breshëri automatiku. Birçaj vdiq në spital prej plagëve të marra. Në makinë me Bledar Birçajn ndodhej edhe një tjetër person, i cili për fat të mirë nuk ka marrë asnjë plagë.

Ai është dëshmitari kyç i policisë për të shkuar te gjurmët e autorëve. Në momentin që autorët kanë dalë nga makina për të qëlluar me automatik ai ka dalë me vrap nga makina për tu fshehur tek garazhdi që ndodhej aty afër.

Identiteti i personit që ndodhej në makinën e biznesmenit nuk bëhet i ditur nga policia e Vlorës, ndërsa janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë që ndodheshin në vendin e ngjarjes me shpresën se deklarimet e tyre do të hedhin më shumë dritë për ekzekutimin mafioz.

Gjithashtu një tjetër provë në dorën e hetuesve janë edhe kamerat e sigurisë së bizneseve, që mund të kenë kapur autorët dhe makinën që përdorën në momentin e vrasjes, e cila ende nuk është gjetur. Gazetari i ABC në Vlorë Elton Nikaj raporton se pista kryesore në duart e hetuesve është aktiviteti i vlonjatit në Spanjë dhe lidhja e mundshme me drogën. 38-vjeçari lëvizte shpesh në drejtim të Spanjës, ndërsa vetëm para një muaji ishte kthyer në Vlorë.

Bledar Birçaj rezulton pronari i Bar kafe “The Boss” që ndodhet në “Lungomare” në Vlorë. Lokali administrohej nga vetë ai qysh prej vitit 2017.  Bledar Birçaj është një emër jo i panjohur për policinë e Vlorës, pasi në 21 dhjetor 2010 së bashku me vëllanë e tij, Elton Birçaj, kanë dhunuar barbarisht ish-juristin e hipotekës së Vlorës me inicialet F.H.

Për këtë ngjarje dy vëllezërit u proceduan në gjendje të lirë. Shkak i kësaj ngjarje ishin bërë problemet që ata kanë pasur me dokumentacionin në një pronë që ndodhet në qytetin e Vlorës. Bledar Birçaj ka qenë i arrestuar në 27 janar 2011 pasi dyshohej për një ngjarje kriminale por u lirua nga akuzuat në përfundim të hetimeve./ db/ Abcnews.al