“Ekzekutimi i trefishtë në Fushë Krujë, jo nga profesionistë,” Karamuço: Po “eksportojmë” vrasës me pagesë edhe në Itali

schedule20:03 - 18 Korrik, 2022

schedule 20:03 - 18 Korrik, 2022

Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata u vranë të dielën në Fushë-Krujë me breshëri  prej të paktën 60 plumbash.

Ndërkohë që përgjakej rruga në mes të ditës, vetëm pak kilometra më larg ishin dy postblloqe të policisë, një i Rrugores dhe një i Rendit. Ndërsa, flaka në automjetin me të cilin ata udhëtonin është shfaqur prej plumbave të shumtë.

Këto janë detaje që i jep Ervin Karamuço, profesor i kriminalistikës, i ftuar pasditen e së hënës në “Radari Informativ” në ABC. Gjurmët që autorët lanë pas, sipas ekspertit, shërbejnë edhe për të kuptuar se për cilat grupe kriminale bëhet fjalë pasi profilet policia i disponon.

Lexo edhe: Qyteti i Laçit “kthehet në morg”, u jepet lamtumira 3 viktimave të Fushë Krujës. Një foto së bashku duke pirë

Po ashtu, Karamuço tha se në Romë i kanë bërë të ditur që një ndër problematikat më të mëdha me të cilat po haset policia italian është alarmi i shtuar nga vrasësit me pagesë shqiptarë.

“Marrin porosinë, kryejnë detyrën e largohen. Ky është një problem i brendshëm që po e eksportojmë. E kemi logjistikën publike që një njeri i zakonshëm të stërvitet. Ka shumë profesionistë…janë trajnuar edhe nga mafia ruse. Krimi i organizuar këtu është në gjeneratën e tretë.”

Kurse, duke u kthyer tek ekzekutimi i trefishtë në fundjavë, Ervin Karamuço thotë se nuk duket si tipologji profesionistësh pasi rrezikuan shumë që të arrestoheshin në flagrancë.

Por si ia arrijnë autorët që gjithmonë të largohen pasi kanë kryer ekzekutime të tilla?

Ekspert i Kriminalistikës thotë se policia ka investuar në 10 automjete me radarë rrugor, por sistemi nuk është vënë në punë siç duhet.

“10 makina me radarë rrugorë, por s’janë vetëm për gjoba, janë edhe për të identifikuar edhe targat e vjedhura. Nëse do të ishin ata radarë do të ishte ishin identifikuar targat. Nuk e di pse s’i kanë vënë në funksion. Për këtë sistem është investuar dhe nuk është vënë në punë. Pritej të parandalonte shumë ngjarje kriminale.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!