“Një pako e dyshimtë u gjet rreth orës 10 të mëngjesit të së hënës poshtë një automjeti në lagjen “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit. Pakoja është gjetur nga vetë pronari i automjetit i cili njoftoi policinë.”
Edmond Pasha në dëshminë e tij para oficerëve të bluve të Burrelit ka deklaruar se nuk ka konflikte të hapura ndërsa kutinë, e cila i dyshua për eksploziv, e ka konstatuar pas një vëzhgimi rutinë të automjetit të tij.
Një grup anti eksplozivi nga reparti special RENEA mbërriti nga kryeqyteti për të ekzaminuar pako e dyshimtë.
Pas disa orësh pune, forcat anti eksploziv kryen një shperthim të kontrolluar rreth orës 14:40 minuta. Nga kjo provë e RENEAS nuk pati shpërthim tjetër veçse kapsollit të telekomanduar nga ekspertët.
Sipas të dhënave paraprake, nuk ka rezultuar që në pakon e dyshimtë të ketë pasur lëndë plasese.
Megjithatë mbetjet dhe provat në vendin e ngjarjes u morën nga ekspertët dhe pritet t’u nënshtohen analizave.
Në vendin e ngjarjes po ashtu janë sekuestruar edhe një seri kamerash sigurie për të parë nëse ka pasur persona të dyshimtë që mund të kenë hedhur pakon e dyshimtë poshtë automjet të Edmond Pashës./abcnews.al