Ekspertja e PD-së: Pretendimet për pavlefshmërinë e zgjedhjeve për 9 qarqet në Shqipëri

schedule19:48 - 11 Maj, 2021

schedule 19:48 - 11 Maj, 2021

Marinela Ziu, eksperte ligjore në Partinë Demokratike, foli në Radari Informativ për pretendimet e PD-së për shkeljet në fushatën zgjedhore  të 25 prillit.

 “Pretendimet fillojnë nga përdorimi i partisë shtet, pra shteti është bërë  njësh dhe të gjitha burimet shtetërore janë përdorur për të influencuar rezultatin zgjedhjeve. Provat dhe faktet që janë çuar nga PD janë dokumentacion zyrtar”, tha Ziu.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, ajo tha se viti i fundit ka qenë një vit i vështirë, por pavarësisht kësaj paratë e investimeve publike janë përdorur për fushatë.

Analiza tha ekspertja e PD-së bazohet në dokumentacion zyrtar të Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërsa shtoi se është ndjekur e gjithë rrugë ligjore për të vërtetuar sipas saj masakrën zgjedhore.

“Këta persona që  i kemi skeduar më herë me rekorde kriminale janë denoncuar nga PD. Janë persona me rekorde kriminale që në bazë të ligjit nuk duhet të përfitojnë para nga buxheti i shtetit”, u  shpreh Ziu.

Po ashtu ajo sqaroi se në administratë është rritur numri i personave të punësuar me kontrata bazë.

“Bazuar në Kodin Zgjedhor 4 muaj para zgjedhjeve nuk lejohen të miratohen vendime të Këshillit të Ministrave. Këto punësime janë përdorur për blerje votash nëpërmjet kontratave të përkohshme.  Institucionet OSHEE, OST KESH dhe UKT janë institucionet me punësim më të lartë”, sqaroi ekspertja e PD-së.

Një tjetër mënyrë nëpërmjet së cilës është arritur blerja e votës është me anë të ndihmës ekonomike.

Po ashtu Ziu tha se edhe paketa anti-Covid është keqpërdorur pasi paratë kanë shkuar tek personat që nuk kanë pasur nevojë, por janë blerë.

“Nuk kanë shkuar tek personat që janë prekur nga pandemia. Këto prova dhe fakte janë dërguar edhe në SPAK. Kanë shkuar tek ta qytetarë që patronazhistët i kanë skeduar si grup gri.  Rasti i tërmetit është një tjetër. Vetëm në Durrës janë paguar 6 milionë euro.  Paratë nuk kanë shkuar tek personat që kanë pasur nevojë”, shtoi më tej Ziu.

Po ashtu ajo theksoi se zgjedhjet janë të cënuara në të gjithë Shqipërinë.

“Edhe na raste kur nuk kemi çuar kallëzim në KQZ, kemi çuar kallëzim në Prokurori. Partia Demokratike do të ndjekë një rrugë ligjore. Kemi kërkuar që t’i kërkojë institucioneve për të faktuar këto që ne i dimë. Mjafton që KQZ të ketë vullneti do atëherë faktohet e gjithë masakra elektorale.

Qarqe problematike janë të gjitha, Kemi Durrësin që është një vatër e nxehtë e krimit dhe e shpërdorimit të parave publike. Të gjitha qarqet i bashkon fakti që kanë shkelje të rëndë të ligjit”, përfundoi ekspertja e PD-së.

/abcnews.al/