Një panel prej shkencëtarësh prestigjozë i kanë thënë Shtëpisë së Bardhë, se sipas studimeve më të fundit, koronavirusi nuk shpërndahet vetëm me anë të kollës apo teshtimës.
Sipas tyre, Covid-19 mund të përhapet edhe thjesht nga e folura, apo edhe thjesht duke marrë frymë personi që është i infektuar, shkruan abcnews.al
Harvey Fineberg, kryetar i Komitetit të Akademisë Kombëtare të Shkencave për Sëmundjet Infektive në Zhvillim, është shprehur në një letër:
“Në një kohë kur studimet aktuale për koronavirusin janë të limituara, rezultatet e kërkimeve ekzistuese janë në përputhje me aerosolizimin e virusit nga frymëmarrja normale.”
Ai shkruante se letra e tij u dërgua në përgjigje të pyetjeve që ishin bërë nga Kelvin Droegemeier nga Shtëpia e Bardhë.
“Kjo letër i përgjigjet pyetjes suaj në lidhje me mundësinë që [koronavirusi] mund të përhapet me anë të së folurës, përveçse me anë të spërklave që lëshohen pas tështitjes apo kollës. Aktualisht kërkimet e disponueshme mbështesin mundësinë që [koronavirusi] të përhapet përmes bioerosoleve të gjeneruara direkt nga frymënxjerrja e pacientëve”, shkruan Fineberg.
Sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, virusi mund të përhapet nga personi në person nëse nuk kanë një distancë prej 1 ose 1.5 metrash. Ai shpërndahet me anë të spërklave që prodhohen kur personi i infektuar kollitet apo tështin.
Gjithsesi Fineberg u shpreh se virusi mund të qëndrojë në ajër dhe të infektojë potencialisht dikë që ecën aty ku ka qenë i sëmuri. Se për sa kohë mund të rrijë virusi në ajër, sipas tij, varet nga disa faktorë, si p.sh. nga sasia e virusit që dikush që është i sëmurë nxjerr ndërsa merr frymë apo flet, si dhe nga sasia e ajrit që qarkullon në një ambient të caktuar. /abcnews.al/