Ekspertët kinezë fillojnë të zhvillojnë vaksinën kundër koronavirusit

schedule16:00 - 26 Janar, 2020

schedule 16:00 - 26 Janar, 2020

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Fatkeqësive (CDC) në Kinë ka filluar të zhvillojë një vaksinë kundër epidemisë së koronavirusit të ri të përhapur me shpejtësi në vend.

Gazeta kineze “South China Morning Post” citoi ekspertin e virologjisë Xu Wenbo të ketë thënë se ekspertët e qendrës kanë filluar të zhvillojnë një vaksinë kundër epidemisë së koronavirusit të ri (2019-nCoV) dhe se në kuadër të kësaj po zhvillojnë punime për të përcaktuar renditjen gjenetike të virusit të izoluar.

Xu tha se ekspertët po përdorin metodën e renditjes gjenetike me shpejtësi të lartë për të përcaktuar strukturën patogjenike të katër mostrave të marra nga virusi që nga 2 janari dhe se po kryhen edhe kontrolle për ilaçin kundër pneumonisë e cila është shfaqur për shkak të koronavirusit të ri.

Numri i viktimave nga përhapja e koronavirusit të ri (2019-nCoV) në qytetin Wuhan të Kinës është rritur në 56 ndërsa janë prekur mbi 1.975 të tjerë nga të cilët 324 në gjendje të rëndë.

Ndërkohë numri i personave nën vëzhgim që kanë kontaktuar me të infektuarit është 21.556 ndërsa 49 të infektuar janë liruar nga spitali pasi janë shëruar.

Në kuadër të masave të marra për të parandaluar përhapjen e epidemisë, u ndërprenë përkohësisht udhëtimet e linjave të gjata me autobus që sigurojnë transportin ndërqytetës nga Pekini në qytetet e tjera.

Ndërsa të dielën u njoftua se që nga e hëna do të ndërpriten udhëtimet me autobus të linjave të gjata nga Tianjin që është qyteti fqinj me Pekinin drejt rajoneve të tjera.

Pas qytetit Wuhan në rajonin Hubei në Kinë janë “izoluar shumë qytete” ku si pasojë është ndërprerë edhe transporti publik. Duke filluar nga e diela, izolohet edhe Shantou, qytet me rreth 5.6 milionë banorë që ndodhet në rajonin Guandong.

Për shkak të përhapjes së virusit në një kohë të shkurtër nga qyteti Wuhan në rajonin Hubei drejt qyteteve dhe rajoneve të tjera, u ndalua transporti publik kryesisht në Wuhan dhe në 13 qytete të tjera të mëdha dhe të vogla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!