Ekspertët gjermanë: Imuniteti i tufës, i pamundur deri në vjeshtë nëse nuk rriten vaksinimet

schedule16:06 - 25 Korrik, 2021

schedule 16:06 - 25 Korrik, 2021

Instituti Robert Koch e ka cilësuar si “jorealist” qëllimin e arritjes së imunitetit të tufës deri në vjeshtë në Gjermani dhe parashikon një rritje të të infektuarve, si dhe të shtrimeve në spital. Përveç kësaj, rritja e rasteve pritet te personat e pavaksinuar të moshës 18-59 vjeç dhe fëmijëve nën 12 vjeç.

“Shkalla e vaksinimeve është ende shumë e ulët për të arritur imunitetin e tufës në kohë,” sipas një raporti të institutit. Deri më tani, 60% e gjermanëve kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa 48% janë vaksinuar plotësisht.

Për të shmangur valën e katërt të pandemisë, të paktën 90% e personave mbi moshën 60 vjeç dhe 85% e personave midis moshave 12 dhe 59 vjeç, duhet të ishin vaksinuar kundër Covid, theksohet në raport.

Në lidhje me një dozë të tretë përforcuese, Instituti Robert Koch theksoi se sistemi duhet të jetë në gatishmëri në mënyrë që nëse ka ri-infektime midis personave të vaksinuar, të tilla si në azile, të ekzistojë mundësia e vaksinimit.

Rregullat si përdorimi i një maske, distanca dhe higjiena, duhet të qëndrojnë në fuqi të paktën deri në pranverën e ardhshme.

Duke marrë parasysh që fëmijët dhe adoleshentët priten të jenë më të rrezikuarit  gjatë dimrit të ardhshëm duhet tu kushtohet një vëmendje e veçantë shkollave dhe kopshteve, pasi shumica e fëmijëve nuk do të jenë vaksinuar.

Duhet të kryhen më shumë teste molekulare për të zbuluar rastet asimptomatike, mundësisht tek fëmijët nën moshën 12 vjeç dhe dy deri në tre teste të antigjenit tek të rriturit. Sipas shkencëtarëve të RKI, Gjermania aktualisht është në një fazë kalimi nga pandemi në epidemi. Në gjendjen endemike, virusi do të vazhdojë të qarkullojë, por do të shkaktojë vetëm shpërthime sezonale të ngjashme me ato të gripit.

Sidoqoftë, Jan Furmann, një profesor i matematikës në Universitetin e Heidelberg, i cili po studion modele të ndryshme të situatës, paralajmëron se në të ardhmen e afërt rreziku i infeksionit për ata që nuk janë vaksinuar do të jetë më i lartë në krahasim me vitin 2020.

Sipas tij, gjatë javëve të fundit më shumë se gjysma e rasteve përfshinin persona të moshës 15-39 vjeç./abcnews.al