EKSKLUZIVE/ Vidhnin energji për të prodhuar Bitcoin, si u zbulua “ferma” në Krujë

schedule10:15 - 22 Tetor, 2021

schedule 10:15 - 22 Tetor, 2021

Krujë – Vjedhja e energjisë në Krujë, ka çuar në zbulimin e një laboratori që përdorej për prodhimin e Bitcoin në Krujë.

OSHEE mësohet se ka zhvilluar një operacion  mëngjesin e sotëm në një objekt pasi dyshohet për vjedhje energjie. Pasi kanë kontrolluar lidhjet elektrike, grupi i OSHEE kanë zbuluar se në këtë godinë kishte ndërhyrje në rrjet dhe vidhej energjia.

Lidhur me këtë punonjësit e OSHEE kanë zbuluar edhe laboratorin me pajisjet që përdoreshin për të prodhuar Bitcoin. Të prodhosh bitcoin, përveç kostos së madhe të pajisjeve, kosto ka edhe energjia elektrike që u duhet për të punuar.

Në maj të vitit të shkuar Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” i cili i hapi rrugë zhvillimit të tregut të monedhave virtuale në Shqipëri. Megjithatë ligji ende nuk e lejon këtë aktivitet dhe nuk është licencuar.

Kujtojmë se një laborator i ngjashëm disa muaj më parë u  gjet në rrugën “5 Maj” në Tiranë. Në lokalin ku u vra 27-vjeçari Mehmet Qema, gjatë kontrollit policia ka gjetur edhe një pajisje për të prodhuar online kriptomonedhën Bitcoin. Pajisja ishte e instaluar në ambientet e lokalit, që ishte marrë me qira nga autori i vrasjes Marjus Dema.

Po ashtu vjedhja e energjisë elektrike zbulon një laborator tjetër të kriptomonedhave në Fier, kamufluar në një fabrikë. Lidhur me këtë policia e Fieri ka vënë në pranga një të dyshuar për prodhim kriptomonedha, fshehje taksash dhe vjedhje energjie.

Por çfarë është Bitcoin?

Bitcoin është monedha virtuale e prodhuar në vitin 2008 nga Satoshi Nakamoto, një nofkë ende e pazbuluar. Qëllimi i tij ishte që bota të përdorte pagesat në internet pa bankë dhe karta krediti por përmes kriptomonedhës. Monedha virtuale është një kod kompjuterik që mirëmbahet përmes “Blockchain” që është teknologjia që bën mirëmbajtjen e Bitcoin. Prodhimi i kodeve quhet mining dhe ambienti ku vendosen aparaturat e Bitcoin quhet “fermë”. Sot në tregjet botërore vlera e një Bitcoin-i ka arritur në çmimin rekord prej 45929.07 euro për një monedhë virtuale, e cila mund të përdoret për të blerë aksione në bursa apo pasuri virtuale. /abcnews.al/