EKSKLUZIVE/ Komisioneria Johansson për Abc News: KE po shqyrton udhëtimet e domosdoshme për Ballkanin

schedule12:36 - 21 Tetor, 2020

schedule 12:36 - 21 Tetor, 2020

Intervistë e gazetares Erisa Zykaj me komisioneren evropiane për punët e brendshme, Ylva Johansson, para ministerialit vjetor BE-Ballkan Perëndimor në nivelin e ministrave të brendshëm të Ballkanit, që do mbahet në 22 tetor.

Komisionerja Johanson deklaron për ABC News, se mbyllja e kufijve të Bashkimit Evropian nuk është mënyra e duhur për t’u përballur me pandeminë COVID-19 dhe se Komisioni Europian po punon aktualisht për të përcaktuar se cilat janë udhëtimet e domosdoshme drejt Bashkimit Europian që janë të autorizuara në zonën Shengen.

Johansson ndan shqetësimin e shteteve anëtare lidhur me mungesën e një gjurme provash solide për luftën kundër krimit të organizuar në Ballkan, përfshirë Shqipërinë. Johansson shprehet, se nuk bëhet fjalë vetëm për trafik të qenieve njerëzore dhe se aty trafikohen gjithashtu armë dhe drogë dhe grupet kriminale janë të organizuara shumë mirë. Komisionerja deklaron, se se do të prezantojë një plan aksioni për luftën kundër krimit të organizuar me vendet e Ballkanit Perëndimor vitin e ardhshëm.

Erisa Zykaj: Ministeriali BE-Ballkan Perëndimor në nivelin e ministrave të brendshëm mbahet në mes të pandemisë COVID-19. Ju jeni e njohur për qytetarët e Ballkanit Perëndimor si komisionerja që rekomandoi heqjen e kufizimeve për udhëtimet jothelbësore për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në qershor. Por shtetet anëtare nuk e ndoqën këtë rekomandim.A duhet të presin qytetarët e Ballkanit Perëndimor deri në verën e 2021 për rihapjen e kufijve të jashtëm të BE?

Ylva Johansson, komisionere për Punët e Brendshme:

“Shpresoj vërtet që jo. Sigurisht që ne kemi një situatë shumë të vështirë me pandeminë COVID-19. Shohim që përqindja e infektimeve me COVID-19 po rritet. Por gjithashtu ne shohim se mbyllja e kufijve nuk është përgjigjja e duhur për t’u përballur me pandeminë. Në vend që të mbyllim kufijtë, ne duhet të gjejmë mënyra të tjera për të luftuar pandeminë. Komisioni bëri rekomandimin e tij. Tani vendimi i takon shteteve anëtare, grupeve të punës në Këshillin e ministrave të vendosin për listën e vendeve të treta, qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë drejt BE-së. Lidhur me udhëtimet thelbësore, ne duhet të shohim me vëmendje, se cilat janë vërtet udhëtimet e domosdoshme tani që pandemia duket se do të qëndrojë gjatë me ne. Ne po punojmë për këtë.”

Erisa Zykaj: A do të diskutoni për paketën e re të migracionit dhe azilit të Bashkimit Europian me ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor? Cilat janë pritshmëritë tuaja lidhur me menaxhimin e kufirit dhe migracionin në rajon?

Ylva Johansson: “Po, do ta diskutojmë këtë. Mendoj, se është momenti i duhur për të pasur këtë diskutim. Për Bashkimin Europian, vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende të treta shumë të rëndësishme dhe janë gjithashtu vende që përgatiten të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Ndaj është shumë e rëndësishme që ne të punojmë së bashku për menaxhimin e kufijve, për përmirësimin e procedurave të azilit, në krijimin e qendrave të mira për pritjen e migrantëve, menaxhimin e duhur e migracionit, si dhe kthimin e personave që nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Këto janë dhe çështjet ku Bashkimi Europian duhet tê punojë më ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor”.

Erisa Zykaj: Ka disa shtete anëtare që ngrenë shqetësimin që nuk ka ende një gjurmë provash solide lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë specifike trafikun e drogës dhe të armëve në disa shtete të rajonit si Shqipëria. E ndani këtë shqetësim?

Ylva Johansson:  Po, ndaj ne fokusohemi kaq shumë te kjo çështje, sepse është shumë e rëndësishme. Europoli prezantoi në verë një raport lidhur me trafikun e qenieve njerëzore mbi trafikun e qenieve njerëzore përmes Ballkanit Perëndimor. Por ne e dimë, se nuk bëhet fjalë vetëm për trafik të qenieve njerëzore. Ata trafikojnë gjithashtu armë dhe drogë. Grupet kriminale janë shumë mirë të organizuara. Do të prezantoj gjithashtu një plan aksioni për luftën kundër krimit të organizuar vitin e ardhshëm. Bashkëpunimi me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm. Europoli e ka këtë bashkëpunim.

Erisa Zykaj: A është ministeriali një mundësi e mire për t’i përcjellë mesazhin ministrit të Brnedshëm të Shqipërisë lidhur me nevojën e dyfishimit të përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar ?

Ylva Johansson: “Kjo është e rëndësishme për të gjithë ministrat. Është hera e parë që do të marr pjesë në këtë ministerial dhe do takohem me ministrat e brendshëm të rajonit. Ministri i brendshëm i Shqipërisë më ka ftuar të vizitoj vendin dhe shpresoj të mund ta bëj këtë shpejt”.

Erisa Zykaj: Vitin e kaluar, ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor kërkuan masa specifike për konfiskimin e aseteve kriminale për të shmangur që pasuritë e krimit të investohen sërish në aktivitete të tjera kriminale përfshirë korrupsionin. Ka ndryshuar gjë një vit më pas apo jo?

Ylva Johansson “Shumë më tepër duhet bërë në këtë drejtim. Konfiskimi i aseteve të krimit është një pjesë e rëndësishme e këtij plani. Kjo, pasi siç e thatë dhe ju, duhet evituar pikërisht që paratë e krimit të organizuar të ripërdoren për t’i bërë grupet dhe rrjetet kriminale edhe më të fuqishme. Kjo është një fushë ku kemi nevoje bashkëpunimi për sigurinë. /abcnews.al/