EKSKLUZIVE/ KE-ja për ABC: Presim rreshtimin të plotë dhe të shpejtë të Serbisë me sanksionet e BE-së

schedule20:45 - 29 Prill, 2022

schedule 20:45 - 29 Prill, 2022

Të ndalohet çdo përpjekjeje për të anashkaluar sanksionet ose për të ndihmuar Rusinë me mjete të tjera.

Komisioni Europian ka reaguar mbi pyetjen e ABC lidhur me mosreshtimin e Serbisë me sanksionet e BE-së për agresionin rus në Ukrainë.

ABC: A e kanë njoftuar autoritetet serbe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell, se vendi synon të rreshtohet me sanksionet e BE-së kundër agresionit rus në Ukrainë? Sa kohë mund të tolerojë BE-ja që një vend kandidat, i cili ka hapur negociatat e anëtarësimit, të mos rreshtohet me sanksionet e BE-së në një kontekst shumë specifik siç është agresioni rus në Ukrainë? BE-ja priti me dashamirësi që të mbaheshin zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, në mënyrë që vendi të përafrohej me sanksionet e kësaj organizate. Gjatë diskutimeve në kuadër të komisionit të punëve të jashtme në Parlamentin Evropian u dha një shenjë e qartë nga disa grupe politike më 21 prill, se BE-ja duhet të jetë e prerë ndaj Serbisë, duke konsideruar dhe pezullimin e fondeve të paraanëtarësimit (fondet IPA).

Reagimi i Komisionit Europian:

“Serbia është rreshtuar me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian në emër të BE-së të datës 19 shkurt mbi situatën në Ukrainën lindore dhe përforcimin ushtarak të 22 shkurtit 2022, duke dënuar ashpër vendimin e presidentit Putin për të njohur zonat jashtë kontrollit qeveritar të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura, ashtu si dhe me vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona.

Ndërkohë, që Serbia mbështeti të dyja rezolutat e asamblesë së përgjithshme të OKB-së për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe votoi për pezullimin e Federatës Ruse në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, ajo nuk është rreshtuar me masat kufizuese të BE-së për agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Siç thuhet qartë në rregulloren e Këshillit të BE-së mbi veprimet e Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë, Bashkimi Europian pret rreshtimin e shpejtë dhe të plotë të të gjitha vendeve në rajon me masat kufizuese të BE-së, përfshirë ato që kanë të bëjnë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ne theksojmë fuqimisht me partnerët tanë rëndësinë e zbatimit të sanksioneve dhe ndalimit të çdo përpjekjeje për të anashkaluar sanksionet ose për të ndihmuar Rusinë me mjete të tjera.

Serbia e ka identifikuar integrimin në BE si prioritetin e saj strategjik siç parashikohet në kornizën negociuese BE-Serbi, prandaj pritet që në mënyrë progresive t’i harmonizojë politikat e saj me politikat dhe pozicionet e miratuara nga BE-ja, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së.Vendimet për hapat e ardhshëm për zgjerimin janë në duart e shteteve anëtare.

Përsa i përket çështjes së financimit, Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë prioritet për BE-në. Stabiliteti dhe siguria e rajonit është parësore për ne, aq më tepër pas pushtimit të pajustifikuar të Rusisë të një vendi sovran. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen tonë të fortë politike dhe financiare për të gjithë Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt BE-së.

Ndihma financiare e BE-së nuk është në dobi të qeverive, ajo mbështet në thelb qytetarët dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu reformat e nevojshme për të vazhduar përparimin në rrugën drejt BE-së. Prandaj, ne po punojmë me të gjithë partnerët tanë në rajon për të zbutur ndikimin e luftës në ekonominë dhe shoqëritë e tyre.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!