Winful Cobbinah është shqiptar, si çdo qytetar i këtij vendi. Ganezi është pajisur me pasaportë shqiptare që me 24 shtator, nga presidenti Ilir Meta që miratoi një dekret dhe mesfushorit të Tiranës i dha nënshtetasinë.
Nuk është afrikani i parë që e merr, janë edhe futbollistë të tjerë që janë pajisur me pasaportën shqiptare, si i mirënjohuri Abraham Alechenu, Charles Ofoye dhe James Adeniyi. Cobbinah është i radhës.
Çfarë ka të çuditshme? Ganezi i Tiranës nuk i ka bërë pesë vite në Shqipëri, që ta marrë pasaportën. Kështu që shumëkush pyet se si një i huaj pajiset me të. Abcnews.al mëson gjithçka ka ndodhur. Për të ndihmuar Tiranën ka menduar presidenti Ilir Meta.

Padashje i ka dhënë një asist për kampionatin, pasi 25 herë kampionët e vendit tashmë mund të luajnë me një të huaj më shumë. Cobbinah nuk llogaritet nga tani e mbrapa si i huaj (çdo klub i Superiores lejohet të ketë njëkohësisht në fushë katër të huaj – futbollistët nga Kosova e Maqedonia e Veriut nuk konsiderohen të huaj).
E gjitha kjo u bë për të ndihmuar Tiranën para ndeshjes së Europa League kundër Young Boys. Mesfushori me tipare sulmuese kishte pak që ishte kthyer nga Gana dhe frika ishte e madhe për pajisjen me vizë të tij.

Kështu ai rrezikonte të mungonte kundër zviceranëve, në një ndeshje që konsiderohej si më e rëndësishmja e Tiranës në vitet e fundit. Për të mos rrezikuar, Tirana është vënë në lëvizje dhe zgjidhja ka qenë pikërisht pajisja e Cobbinah me pasaportë shqiptare.
Kjo i mundësonte atij lëvizjen drejt Zvicrës pa asnjë problem. E njëjta taktikë është përdorur më parë edhe nga Kukësi, për shkak se Ukraina nuk pajiste me vizë Besar Musollin dhe Yll Hoxhën, pasi nuk e njeh Kosovën.
Kjo ndodhte para një ndeshjeje të verilindorëve kundër Shaktar Donjetsk në vitin 2013, në kualifikueset e Europa League. Ndryshimi tani është se Cobbinah është ganez dhe kthehet në një asist padashje të Metës për Tiranën në kampionat. / abcnews.al



