ABC News siguron video ekskluzive të lëvizjeve të Mario Meshinit, dëshmitar okular i vrasjes së Devi Kasmit, vetëm pak çaste pas ngjarjes. Në pamje duket Meshini teksa shkon drejt banesës me motoçikletë, pa mbajtur skafandër apo kapuç. Ai ishte i arrestuari i parë për ngjarjen, por vetë 26 vjeçari ka mohuar me forcë çdo akuzë në emër të tij.
ABC News siguron dy video ekskluzive të lëvizjeve të Mario Meshinit, vetëm pak sekonda pas momentit kur në sytë e tij u vra me armë zjarri Devi Kasmi.
Meshini, dëshmitari okular i krimit, po hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg” si i përfshirë në ngjarje. Vetë 26 vjeçari ka këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me ekzekutimin e Kasmit.
Në videon e parë, e fiksuar nga kamerat e sigurisë së një biznesi në zonë, shfaqet Meshini teksa del nga rruga “Kongresi i Manastirit” për në Unazë, në segmentin e njohur si “Rruga Bardhyl”, gati 100 metër distancë vijë ajrore nga vendi i vrasjes.
Ndërsa në videon tjetër duket i riu teksa lë Unazën për t’u kthyer në rrugën “Dervish Hekali”, që e çonte në banesën e tij. Nga pamjet rezulton se Meshini nuk ka pasur skafandër, apo kapuç.
Në daljen para mediave për goditjen e grupit kriminal që dyshohet të ketë ekzekutuar Kasmin, drejtuesi i policisë së Tiranës nuk përmendi emrin e Meshinit dhe nuk dha hollësi kur u pyet për të.
Prokuroria e Tiranës ka dyshime se Meshini ka nxjerrë në pritë Kasmin. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, të zhvilluar të premten në Gjykatën e Tiranës, avokati i Meshinit tha se nëse klienti i tij do të ishte bashkëpunëtor në ngjarje nuk do të përdorte motorrin e targuar në emër të tij, nuk do të komunikonte me Kasmin nga numri i tij personal dhe as nuk do të shkonte në shtëpi pas krimit.