Skuadrat shqiptare dështojnë në ndeshjet e kthimit në Kupat e Europës. Kukësi, Teuta dhe Laçi përfundojnë aventurën në Europa League ndërkohë që Partizani është skuadra e vetme shqiptare që vijon rrugëtimin në turin evropian.
Ekipet shqiptare dështojnë në ndeshjet e kthimit në Champions dhe Europa League. Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi nuk ia dolën të bënin surprizën për të përmbysur rezultatet e takimeve të para.
Në tetë takimi duke llogaritur ndeshjet vajtje-ardhje, katër skuadrat shqiptare kanë shënuar vetëm tre gola dhe kanë pësuar plot 11 gola.
Partizani është e vetmja skuadër që përfaqëson Shqipërinë në Europë. Pas eliminimit nga Champions, të kuqtë kalojnë automatikisht në turin e dytë të Europa League ku e pret skuadra moldave e Sherif Tiraspol. Partizani luajti si i barabartë me Karabag, por eksperienca beri diferencën.
Një zhgënjim edhe në radhët e Kukësit që nuk ia doli të bënte surprizën ndaj Debrecen. Verilindorët u mundën 3-0 në transfertën hungareze dhe barazuan 1-1 në “Elbasan Arena”.
Një rezultat që i eliminoi verilindorët nga Europa League duke mos kaluar në turin e dytë. Kukësi zhvilloi dy ndeshje të mira dhe me raste shumë të pastra shënimi, por që nuk u shfytëzuan nga futbollistët. Zhgënjimi është i madh, por eksperienca ndikoi jo pak.
Skuadra e Teutës luajti dy takimi mjaft të mira dhe me ritëm ndaj skuadrës letoneze të Ventspils, por nuk ia doli të sigurojë biletën për në raundin tjetër. Në takimin e parë, Teuta u mund me shifrat 3-0.
Tre gola që erdhën pas një pakujdesie të prapavijës durrsake. Në ndeshjen e kthimit në “Niko Dovana” durrsakët fituan minimalisht 1-0, rezultat i cili nuk mjaftoi për të bërë surprizën.
Skuadra tjetër shqiptare e Laçit pati fatin e njëjtë me skuadrat e lartpërmendura. Kurbinasit u munden në ndeshjen e kthimit në Izrael ndaj Hapoel Bersheva me shifrat 1-0 ndërkohë që takimi i një jave më parë në Laç përfundoi ne barazim 1-1.
Kurbinasit zhvilluan dy takime mjaft të mira, por fati nuk ishte me të besuarit e trajnerit Sulejman Starova. Kjo ishte një nga performancat më të dobëta të ekipeve shqiptare në Europë që mesa duket e kanë të pamundur të përsërisin suksesin e Skënderbeut./ABC News Albania 24/7