Ka ndërruar jetë papritur në sallën e gjyqit, ish-presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi. Morsi, i cili po gjykohej për spiunazh, ishte presidenti i parë në vend, i zgjedhur në rrugë demokratike por u rrëzua nga pushteti një vit pasi mori detyrën.
Ish-presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, që u rrëzua nga ushtria në vitin 2013, ka ndërruar jetë të hënën pasi ka humbur ndjenjat në sallën e gjyqit. Dikur një figurë e rëndësishme në lëvizjen islamike Vëllazëria Myslimane, Morsi ndodhej në gjykatë në kuadër të një procesi ku akuzohej për spiunazh. 67-vjeçari ishte rrëzuar nga pushteti pas protestave masive që shpërthyen një vit pasi mori detyrën, si lideri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike.
Që prej atëherë, ai ishte mbajtur në gjendje burgimi. Pas rrëzimit të tij, autoritetet egjiptiane nisën një ofensivë ndaj mbështetësve të tij në Vëllazërinë Myslimane dhe në pushtet erdhi gjenerali Al Sisi. Akuzat për spiunazh në dëm të ish-presidentit kanë të bëjnë me kontakte të ish-presidentit me grupin islamik palestinez të Hamasit. Djali i vogël i Morsit, Abdullah, ishte ankuar vazhdimisht për keqtrajtimin që sipas tij i bëhej të atit.
Ai tha për agjencinë e lajmeve “AFP” në tetor se babai i tij mbahej në regjim izolimi gjatë gjithë kohës dhe i mohoj trajtimi mjekësor për një seri problemesh shëndetësore, si tensioni i lartë dhe diabeti. Pesë muaj më parë, Abdullah Morsi paralajmëroi se autoritetet egjiptiane po e bënin këtë me qëllim, pasi dëshironin vdekjen e të atit nga shkaqe natyrale sa më shpejt të ishte e mundur./ABC News Albania 24/7