Egjipt, 235 të vdekur dhe mbi 120 të plagosur

schedule17:40 - 24 Nëntor, 2017

schedule 17:40 - 24 Nëntor, 2017

Është rënduar bilanci i sulmit terrorist që goditi një xhami në rajonin e Sinait në Egjipt. Autoritetet konfirmuan se 235 persona kanë humbur jetën dhe mbi 120 të tjerë mbetën të plagosur. Masakra nuk është marrë përsipër nga asnjë organizatë terroriste.

Një atentat terrorist në një xhami të qytetit Bir al-Abed, në rajonin e Sinait Verior në Egjipt, ka shkaktuar 235 të vdekur dhe mbi 120 të plagosur. Bilanci i masakrës është konfirmuar nga autoritetet egjiptiane të sigurisë. Terroristët kishin vendosur bomba artizanale përreth xhamisë dhe i kanë aktivizuar në momentin që besimtarët po dilnin pas lutjes së të premtes, një ditë e shenjtë kjo për myslimanët. Më pas atentatorët kanë qëlluar mbi ata që përpiqeshin të largoheshin.
Policia lokale tha se autorët e sulmit mbërritën në afërsi të xhamisë me 4 fuoristrada. Mësohet se ata i kanë vënë zjarrin disa makinave që ishin të parkuara afër vendit të kultit në mënyrë që të bllokonin hyrjen për në xhami.

Gjithashtu, agresorët kanë hapur zjarr dhe ndaj ambulancave që kanë ardhur në ndihmë të të plagosurve për të penguar punën e tyre. Sulmi nuk është marrë përsipër nga asnjë grupim terrorist. Banorët e zonës thonë se xhamia frekuentohej nga myslimanët e sektit sufi dhe nga tribuja Sauarka, më e madhja në veri të Sinait, e cila ishte e njohur për bashkëpunimin e saj me ushtrinë dhe forcat e rendit në luftën kundër ISIS.

Disa grupime xhihadiste, duke përfshirë ISIS, e shohin sektin Sufi si të devijuar nga feja islame. Nga ana tjetër, militantët islamikë kanë vepruar në Sinai veriore për disa vite, kryesisht duke synuar forcat e sigurisë. Por kjo është hera e parë që sulmohen që sulmohen besimtarët Brenda një xhamie.
Ndërkohë, lidhur me situatën presidenti egjiptian Al Sisi zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit të sigurisë. Pas saj, ai shpalli tre ditë zie kombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!