Edy Reja i alarmuar, zbulohet çfarë e shqetëson trajnerin e Shqipërisë

schedule18:18 - 14 Janar, 2021

schedule 18:18 - 14 Janar, 2021

Trajneri i kombëtares Edi Reja është tepër i shqetësuar për ekipin ndërsa afron ndeshja e Botërorit ndaj Anglisë. Italiani është i alarmuar sepse lojtarët kryesorë po aktivizohen pak në ekipet e tyre

E sotmja në futboll bëhet shpejt e djeshme dhe sukseset nuk vlejnë më. Pavarësisht se kombëtarja e Shqipërisë e realizoi objektivin në Ligën e Kombeve, duke dalë e para në grup e duke u ngjitur një nivel më lart, trajneri Edi Reja nuk është aspak i lumtur ndërsa afron Botërori dhe ndeshja e 28 marsit ndaj Anglisë në Tiranë.

Problemi i madh i italianit dhe i ekipit përfaqësues është aktivizimi shumë i paktë i lojtarëve në klubet e tyre. Burime në Federatë pohojnë se 75-vjeçari është në alarm, ashtu si edhe ndihmësit e tij. Situata e krijuar nga koronavirusi, nga dëmtimet dhe nga konkurrenca nëpër ekipe ka bërë që futbollistë që cilësohen si boshti i ekipit të mos luajnë.

E tillë situata për dy portierët, Etrit Berishën e Tomas Strakoshën. I pari pati probleme serioze me Covid-19, aq sa u detyrua të shtrohej në spital, ndërsa i dyti e ka humbur postin e titullarit tek Lacio. Aspak e lehtë gjendja në mbrojtje. ku të tillë titullarë si Elseid Hysaj e Marash Kumbulla ose nuk luajnë, ose kanë pak minuta.

Edhe lojtari i Napolit, edhe ai i Romës e kaluan koronavirusin, ndërsa Hysaj ka edhe probleme me kontratën. Ardian Ismajli ka luajtur vetëm 12 për qind të minutave tek Specia, gjithashtu në Serie A. Në mesfushë, Klaus Gjasula po kalon një sezon të vështirë tek Hamburgu në Bundesligën e dytë gjermane.

Ai ka qenë në fushë vetëm në 40 për qind të minutave, duke pasur rënie të formës, ndërsa së fundmi dëmtimi e ka lënë jashtë në dy ndeshje. Shumë më e keqe gjendja e Amir Abrashit, i cili nuk ka luajtur asnjë minutë deri tani këtë edicion, ndonëse ai cilësohet titullar fiks në kombëtare. Në sulm ka lajme të këqija dhe të mira.

Armando Broja ka luajtur vetëm 11 minuta që nga 5 dhjetori kur u infektua me koronavirus, duke qenë dy ndeshje jashtë e dy herë në stol. Gati gjysma e minutave për Bekim Balajn në Austri, ku ka arritur edhe të shënojë gola, ndërsa Armando Sadiku ka luajtur në vetëm 6 për qind të kohës në Superligën e Turqisë tek Erzurumspori.

Të paktën janë mirë Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj, të cilët janë edhe dy sulmuesit kryesorë. Kavajasi u kthye nga dëmtimi që e la jashtë për plot 5 ndeshje dhe ka qenë titullar së fundmi në Turqi për Konyaspor, ndërsa Manaj po aktivizohet në Barcelonën B në kategorinë e tretë spanjolle, duke shënuar edhe disa gola. /abcnews.al