Partia Demokratike e Kosovës u dëmtua shumë për shkak se Hashim Thaçi u mor me idenë e ndryshimit të kufijve. Është ky mendimi i politikanes së njohur kosovare Edita Tahiri. Në një lidhje me Skype nga Salzburgu për ABC News, ajo tha se edhe Rama duhet të marrë mesazhin e tij nga zgjedhjet që u zhvilluan në Kosovë.
“Ndryshim i madh ka ndodhur në Kosovë sepse pushtetarët shkuan në opozitë. Dua të theksoj se PDK ka pasur një kohë të gjatë në pushtet dhe është dëmtuar shumë me faktin që Thaçi u mor me çështje të kufijve në dëm të Kosovës. Ky është ndoshta edhe një mesazh për zotin Rama që kur të ndodhin zgjedhje në Shqipëri do të ketë një ndëshkim sepse ishin çështje gjeopolitike dhe ne do duhet t’i mbronim interesat tona dhe jo të hynim në këto lojëra. Edhe vetë Borrel gjatë paraqitje në PE iu drejtua Ballkanit me sens politik”, tha Edita Tahiri.
NDër të tjera, Tahiri u shpreh se negociatat mes Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit do të jenë një sfidë interesante. Ish-kryenegocatorja për bisedimet me Serbinë pret që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje të sillet sipas detyrimeve që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës./abcnews.al