Edicioni i tretë i garës me biçikleta “Shtegu i Gjelbërt”

schedule14:15 - 7 Janar, 2018

schedule 14:15 - 7 Janar, 2018

Viti 2018, sipas kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, për Tiranën do të jetë viti i biçikletave. Veliaj mori pjesë në garën “Shtegu i Gjelbërt” dhe u shpreh për ndërtimin e 10 kilometrave rrugë të mbrojtura.

Mbi 100 çiklistë profesionistë dhe amatorë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë e garës “Shtegu i Gjelbërt”.
Kjo garë zhvillohet për të tretin vit radhazi në Tiranë, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj në çelje të saj u shpreh se synimi është ndërgjegjësimi i qyetarëve për të përdorur biçikleten.
“E kemi futur Tiranën në një kalendar dhe për qytetin tonë është e rëndësishme të vendosim një traditë. “Shtegu i Gjelbër” është një traditë, po ashtu edhe Maratona e Tiranës është kthyer në traditë. Kjo është mënyra fantastike për të inkurajuar, jo vetëm ata që janë profesionistë, por edhe amatorët ”.

10 kilometra korsi të dedikuara për biçikleta do të kenë në Tiranë këtë vit të apasionuarit pas dy rrotakëve, premtoi kryebashkiaku Veliaj.

“Këtë vit do të kemi 10 km korsi biçikletash të mbrojtur. Do të thotë që makina nuk do mund të hyjë në korsinë e biçikletave, që të shmangim skenat e shëmtuara që kemi parë. Unë besoj se nëse e kthejmë në sfidë, siç kemi fituar shumë beteja në këtë qytet, mund ta bëjmë 2018 vitin ku Tirana iu rikthye biçikletës. Në qoftë se këtë monopol e ka pasur deri në vitet ‘90-‘91, jam i bindur që mund ta kthejmë sepse biçikleta është pjesë e kulturës tonë. Shpresoj që do të promovojmë qytetin, Tiranën, dhe besoj që vitin tjetër do të jemi edhe më të shumtë dhe 2018-n do ta kthejmë në një vit fantastik për të gjithë ata që do të përdorin biçikletën”.

Pjesëmarrësit në edicionin e 3-të të “Shtegut të Gjelbërt” përshkruan një itinerar prej 63 km duke nisur nga Sheshi “Skënderbej”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar më pas nëpër Kodrat e Liqenit, drejt kurorës së gjelbër të kryeqytetit dhe për të mbërritur në Petrelë, ku ishte dhe stacioni i parë i kronometrimit.

Stacioni i dytë ishte ai i Durishtit, i ndjekur më pas nga “Check-point” i kilometrit 25, përgjatë rrugës Tiranë-Elbasan, e për të vijuar me stacionet e tjera të kronometrimit në Kakunjë, në Koçaj pranë Baldushkut, në Rodhje dhe për ta mbyllur në finishin e Mulletit, ndërsa mbërritja për publikun ishte sërish Sheshi “Skënderbej” në Tiranë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!