Edi Rama dhe dy ish-ministrat Xhafaj e Tahiri

schedule18:43 - 3 Nëntor, 2018

schedule 18:43 - 3 Nëntor, 2018

Dy ish-Ministrat e Brendshëm Fatmir Xhafaj e Saimir Tahiri, spikatën secili në mënyrën e vet javën politike që lamë pas. Mes denoncimeve të shtuara të opozitës e pafuqisë së prokurorisë për të vepruar, kjo ishte panorama anormale e vendit, të cilën e sjell këtë javë Mimoza Koçiu, në Politika në ABC News.

Dy ish-ministrat e brendshëm të Edi Ramës tërhoqën vëmendjen publike javën politike që lamë pas. Fatmir Xhafaj u largua pa dhënë një arsye, pas një megaoperacioni policor, ku u zbulua i dyti laborator droge në qeverisjen socialiste, e Saimir Tahiri që foli për një vendim të gjykatës së Katanias se aludimet ndaj tij në dosjen italiane ishin të pabaza. Opozita vijoi denoncimin e lidhjeve të qeverisë me krimin e korrupsionin, ndërsa organi i akuzës vazhdon të heshtë, e nuk po hedh ende dritë në asnjë prej çështjeve që ushqejnë përplasjet politike, të paktën prej 8 muajsh, e në të cilat lakohen emra politikanësh.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Largimi i ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj mbeti kokëfortësisht pa arsye publike, edhe pse bëhej fjalë për të njëjtin ministër që u mbrojt fort, kur historia e vëllait, që ia kishte dalë të shmangte një dënim për trafik droge në Itali 16 vite më herët, u rishfaq në publik gjatë një audiopërgjimi. Një aludim për largimin e Xhafajt, u lexua tek shpjegimi i filozofisë së partisë nga Kryeministri, pak orë pasi kishte njoftuar pranimin e dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm.

U përforcua disa orë më pas, kur ministri i dorëhequr shkruante se ka edhe njerëz në politike, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e bëjnë.

Çka spikati ishte një deja vu e hasur edhe me paraardhësin e tij Tahiri: shfaqja e parë pas largimit, në një aktivitet të PS, e përkrah atij që lakohet si pasardhësi i Edi Ramës, Erion Veliaj.

Tahiri kishte bërë të njëjtën gjë, 5 ditë pasi ishte shkarkuar nga Edi Rama, e fliste për bashkim.

Eksperienca e gjatë politike e institucionale, nuk mjaftoi, e Xhafaj njëlloj si Kryeministri nuk i dha publikut një arsye për largimin.

A kishte lidhje largimi me përgjimet e dosjes që solli 27 arrestime, e mes të cilave edhe komunikime të një prej njerëzve më të afërt të Kryeministrit, Vangjush Dako? Kështu së paku mendon opozita.

Denoncimet e Bashës i vijoi Ervin Salianji, përmes pyetjeve me emra konkretë.

Të dy u njoftuan për padi në gjykatë nga kryebashkiaku i Durrësit, për deklaratat e bëra. Vetëm një lajm i ri mund të zbehte vemendjen nga Xhafaj e Dako, e nuk vonoi. Të hënën e javës politike që lamë pas, dy ditë pasi kishte anulluar një dalje për mediat, të planifikuar ditën kur u shpall dorëheqja e Fatmir Xhafajt, Saimir Tahiri iu drejtua prokurorisë së krimeve të rënda, e cila prej një viti e heton për trafik narkotikësh, si grup i strukturuar kriminal dhe korrupsion. Pak minuta më vonë u tha gazetarëve se kishte depozituar një provë, por kërkoi kohë për ta njoftuar publikisht.

Në media u shpërnda ky fragment i materialit, ku lexohej kërkesa e prokuorisë së Katanias, e miratuar nga gjykata, për mbylljen e hetimeve për Tahirin, pasi nuk kishte elementë të nevojshëm për të mbështetur akuzën e dalë gjatë përgjimeve të dosjes Habilaj, se ministrit të brendshëm të kohës, i bliheshin dhurata të shtrenjta, bizhuteri e veshje.

Për demokratët, është e gjitha pjesë e një skenari me qëllim final mbylljen e çështjes ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.

Duhet thënë se prej kohësh selia blu flet me emra konkretë e Basha këmbëngul se prokuroria ka dosje për ata emra.

Kryeministri që i ndjek denoncimet, njoftoi nga tëitteri për 23 padi të reja për shpifje. Këtu përfshihet edhe denoncimi për fitues të paracaktuar të tenderit për sistemin e ri të monitorimit të transaksioneve të biznesit, i paralajmëruar 5 javë më herët nga Tabaku.  

Por orientimi dukej se mbetej Saimir Tahiri. Ishte përzgjedhur e enjtja e mbrëmjeve kryesore të debateve politike televizive, për një deklaratë para mediave, me një dokument në dorë. Tahiri tha se ishte vendimi i prokurorisë e gjykatës së Katanias, që e clironte nga akuzat e ngritura në përgjimet e bandës së Habilajve në dosjen italiane.

Njëlloj si në deklaratën e 5 muajve më herët, kur shpalli dorëzimin e mandatit të deputetit, ish ministri i brendshëm renditi një listë të gjatë të atyre që ka kundër, e foli për një dorë zë zezë, pa e identifikuar.

Por shënjestra kryesore dukej prokuroria, e cila e heton prej një viti, e nuk e ka thirrur asnjëherë për ta pyetur.

Atë dokument me të cilin po mbrohej, nuk ua vuri në dispozicion mediave. E kishte siguruar TV Klan, që e publikoi një ditë para daljes së Tahirit. Në të thuhej se pas 5 muaj hetimi edhe në pikat e shitjes, nuk u gjet asnjë provë që të mbështeste pretendimet në përgjimet e grupit Habilaj, se kishin blerë bizhuteri e veshje për Saimir Tahirin.

Për selinë blu, ai vendim nuk ka vlerë për hetimin shqiptar, edhe dosja italiane ishte pikënisja për hetimin ndaj Saimir Tahirit në Shqipëri.

Të enjten në mbrëmje në studion e Blendi Fevziut, u tha se pretendimet për blerje veshjesh e bizhuterish, ishin përjashtuar nga gjykata e Krimeve të Rënda që në muajin maj.

Por për herë të parë Saimir Tahiri pranon se kanabizimi i vendit në kohën e tij pati shkak korruptimin e strukturave të shtetit, ndërsa fakt mbetet se 3 drejtues të policisë të kohës së tij janë në kërkim prej një viti për trafik droge.

Interesant është sintonia e reflektimit të Tahirit me Kryeministrin, edhe pse prej muajsh i përjashtuar nga një vit nga PS. Njëlloj si Rama, Tahiri pranon se ka bërë gabime por jo faj.

Po aq në sintoni duket edhe konkludimi, se vendi nuk ka banda apo nivel shqetësues kriminaliteti.

Përse vallë kjo sintoni, dukshëm e munguar mes Ramës e pasardhësit të Tahirit Xhafaj? Në fakt ishte Edi Rama ai që e paralajmëroi i pari vendimin e mbylljes së hetimit për Tahirin, nga gjykata e Katanias

Misteri u zbardh vetëm të enjten e kaluar nga vetë Saimir Tahiri

Përse vallë Tahiri priti të paktën dy javë që ta conte në prokurori, e ta bënte të ditur publikisht? Padyshim që momenti i zgjedhur për ta shpallur, ishte i duhuri, për të sfumuar dy cështjet e nxehta të radhës: akuzat për Vangjush Dakon, dhe largimin pa arsye publike të Fatmir Xhafajt.

Por në këtë panoramë aspak të thjeshtë, spikat vullneti mbresues i Kryeministrit për të finalizuar objektivin e zgjedhjeve vendore, të paktën 8 muaj larg. Një synim e shpalosi javën politike që lamë pas, Bashkinë e Kukësit. Shkonte për herë të parë në qytetin që voton rregullisht të djathtët, e që e tronditi fort kur iu kundërvu tarifës prej 5 euro për kalimin në rrugën e kombit. Pas rishikimit të saj, Kryeministri iu qas me ndjesë kuksianëve.

Mes investimeve të premtuara, edhe transformimi i aeroportit e stadiumi, artikuloi hapur edhe ambicjen finale.

Duket gati edhe në KQZ ku tashmë ka vendimmarrjen e 5 nga 7 anëtarët e organit që administron e mbikëqyr zgjedhjet. Zëvendësoi dy anëtarët që i takonin tashmë si mazhorancë, pas përfundimit të mandatit të dy anëtarëve që ishin propozuar nga demokratët në pushtet në 2012.

Duhet thënë se Lulzim Basha ende nuk e ka qartësuar këtë pjesë. Përfaqësuesi i tij në tryezën konsultative të presidentit, për datën e zgjedhjeve vendore, në njërën nga dy të dielat e fundit të muajit qershor, ishte i vetmi nga tre kreret politike që shmangu komunikimin me mediat. (efekt) Cka nuk thuhet, është se bashkëkryezari i PD në komisionin për reformën zgjedhore Oerd Bylykbashi po vazhdon punën me homologun socialist Bledi Çuçi për t’u dakordësuar mbi ndryshimet në kodin zgjedhor për vendoret e vitit të ardhshëm. E konfirmoi i pari Taulant Balla, në zemër të akuzave ndaj tij.

Vetë Kryeministri ka komoditetin të besojë se historia do përsëritet me rivalin e tij.

Lulzim Basha nuk i përgjigjet insinuatave të tilla, por duket i vendosur të vijojë me strategjinë e denoncimeve nga selia blu. Padyshim që paraqitja e fakteve ka impakt të fortë publik e mediatik. E duket se kështu do vijohet edhe javën e ardhshme

Përse vallë Lulzim Basha duket kaq i qetë, para mobilizimit dukshëm me tiparet e një fushate zgjedhore të rivalit Edi Rama? Pikëpyetja mbetet e fortë, sidomos në kushtet kur Km po ia del që të zbehë, edhe akuzat më të forta. Ia doli ta kalojë në heshtje e pa shpjegim largimin e Fatmir Xhafajt. Ish ministrin që lakohej si i mbështetur nga amerikanët, e pasoi me një emër jashtë politikës, këshilltarin e tij për sigurinë Sandër Lleshi, të cilit po i evidenton formimin në Gjermani, vendi më influent i BE. Nga ky vend, një deputet i kancelares vlerësoi largimin e Fatmir Xhafajt.

Në këtë panoramë akuzash publike e përgatitjesh zgjedhore, shkëlqen fort mungesa e veprimit të prokurorisë. Saimir Tahiri është rasti më i fundit i një hetimi që shtyhet prej një viti, pas një kërkese të parë për arrest me burg, e 16 ditëve arrest shtëpie, ndërsa nuk është thirrur ende për t’u marrë në pyetje. Nga ana tjetër, denoncimet nga selia blu, bazuar në dokumente, veçse evidentojnë pafuqinë e organit të akuzës përballë çështjeve ku përfshihen politikanët, çështje të cilat të paktën prej shkurtit të këtij viti, vazhdojnë të ndezin sistematikisht debatin politik e publik në vend. /abcnews.al