“Edhe në 12 të natës”, Alibeaj për emrin e Presidentit: PS i iku marrëveshjes, ne i qëndrojmë

schedule14:16 - 26 Maj, 2022

schedule 14:16 - 26 Maj, 2022

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së është shprehur se opozita është e gatshme të zbatojë marrëveshjen e arritur me PS-në deri në sekondat e fundit të skadimit të kësaj marrëveshje. Ai hodhi akuza se ishte mazhoranca që u tërhoq nga marrëveshja pasi në PD filluan të qarkullojnë emrat e parë.

“Të heqim dorë nga bojkotet. Ne u ofruam me një dokument me disa rregulla të thjeshta. Pranuar nga pala tjetër dhe pranuar live me zë e figurë. Patëm një dokument. Dhe sapo emrat me propozime fillestare dolën. Ditën tjetër menjëherë PS tërhiqet. Rama u tërhoq. Ishin emrat fillestar, por pa thënë asgjë për ta. Serioziteti kërkon që merr parasysh detyrime duhet të shkosh në fund. Ne kryem kontributin tonë. Detyrimin tonë. Dokumenti është aty. Tërheqja është në mënyrë të paarsyeshme nga PS. Është një gjë që në sytë e shqiptarëve kemi bërë detyrën tonë. “

A do ketë një emër?

“Ne u qëndruam detyrimeve tona. Kishim procesin e identifikimit por pala tjetër u tërhoq. Vlera e këtij dokumenti vlen deri në momentin e fundit. Dhe në 12 të natës jemi të gatshëm ta vazhdojmë.” Tha Alibeaj.

Kujtojmë se të hënën e 30 majit do të mbahet raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri. Raundi i parë dhe i dytë dështoi për nxjerrjen e një emri nga radhët e opozitës, sakaq konferenca e kryetarëve sërish nuk prodhoi konsensus mes palëve.

Nga ana e opozitës, kryetari i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj akuzoi socialistët se kërkon një president të vetin, dhe jo të gjitha forcave dhe neutral. Nga ana tjetër Taulant Balla i kërkoi të propozojë emra, pasi sipas marrëveshjes deri në raundin e tretë do të jetë opozita që propozon emra.

Megjithatë për sa i përket marrëveshjes që ishte arritur, të dy palët akuzojnë njëra tjetrën se janë tërhequr nga ajo, ndërsa Alibeaj u shfaq sërish mosbesues duke akuzuar socialistët se duan ta zgjedhin vetë.

Raundi i tretë do të mbahet më 30 maj, në orën 10 dhe është i fundit ku duhen të paktën 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në raundin e katërt, socialistët kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, pasi i kanë 71 votat që i duhen.

./abcnews.al/