Kastriot Reçi u vra mesditën e sotme teksa po futej tek biznesi i tij në qendër të Rreshënit duke rikthyer frikën e eliminimeve për hakmarrje gjatë viteve të fundit në këtë qytet.
Pas kontrolleve policia gjeti një snajper në një banesë pranë vendit të ngjarjes, por nuk është ende e konfirmuar nëse arma u përdor apo jo për eliminimin e Reçit.
Policia dyshon se ai u eliminua nga profesionistë dhe kjo pistë forcohet edhe më tej nisur nga fakti se si vdiq 47 vjeçari.
Burime nga spitali i Rrëshenit bëjnë me dije për abcnews.al se Reçi vdiq nga një plumb i vetëm, të cilin e ka marrë në zemër.
Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Rrëshenit duke mos mundur t’i shpëtojë plagës së marrë.
Në Rrëshen shkoi ministri Sandër Lleshaj dhe drejtori i policisë. Deri më tani ka pak informacion mbi atentatorët, ndërsa në pyetje janë marrë familjarët dhe të afërm të tij.
Grupi hetimor i drejtuar nga prokurori i Lezhës që ka në juridiksion dhe Mirditën, ka marrë në pyetje bashkëshorten e 47-vjeçarit Reçi. Ajo është pyetur nëse bashkëshorti i saj ka patur ndonjë kërcënim apo konflikt të hapur.
Po kështu janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes apo lëvizjet e biznesmenit, aksioner i televizionit lokal Media+, të cilit ishte hequr licenca dy vite më parë.
Burime nga grupi hetimor thanë se Reci kishte dalë nga lokali për të takuar një grua me të cilën kishte lënë takim për çështje pune. /abcnews.al