“E nisëm ndeshjen keq”, Brdaric: Kukësi skuadër shumë e fortë, e kapëm në pikat e dobëta

schedule20:12 - 15 Janar, 2021

schedule 20:12 - 15 Janar, 2021

Vllaznia vazhdon të jetë në super formë dhe të mundë çdo kundërshtar, që i del përpara. Sot viktima ishte Kukësi, të cilën e mundën me shifrat 0-1. Pas ndeshjes për Supersport  foli trajneri i kryesuesve, Thomas Brdaric.

“Fillimisht uroj të gjithë djemtë për këtë fitore. Është fitore e rëndësishme. Çdo ditë bëhet edhe më e vështirë, të gjithë duan të na mundin. Duhet të jemi sa më të përulur dhe në momentet e veçanta të dimë të vuajmë.

Sot nuk bëmë gjithçka mirë, qëndruam për shumë kohë 1-0, duke rrezikuar edhe barazimin, por në fund arritëm ta ruanim dhe të merrnim fitoren. E nisëm ngadalë, nuk ishim të durueshëm, luajtëm shumë vertikalisht. Në pjesën e dytë u kthyem në lojën tonë dhe gjetëm edhe golin. Në fund jam i kënaqur sepse erdhi fitorja. Kukësi është skuadër shume e mirë me lojtarë shumë të mirë.

Në 5 ndeshjet e fundit nuk i kanë shkuar mirë dhe kanë humbur besimin te vetja. Janë ekip që dinë të luajnë mirë dhe e treguan edhe në Laç. Nuk mund të parashikosh gjithçka ndaj tyre, por bëmë më mirë se në ndeshjen e parë. Nuk mund të ishim perfektë ndaj tyre, edhe ata kishin mundësitë e tyre.

Folëm në pushimin e ndeshjes rreth problemeve tona dhe i zgjidhëm. Kapëm pikat e dobëta të kundërshtarit dhe ia arritëm dhe kjo ishte mënyra, që arritëm te suksesi. Janë luajtur vetëm 14 jave, është shpejt për titullin. Tifozët ëndërrojnë dhe ne i lejojmë. Na pëlqen të luajmë në ofensivë dhe të bëjmë futboll të bukur. Megjithëse, të luash 90 minuta në ofensivë nganjëherë është e rrezikshme”,  u shpreh Brdariç. /abcnews.al