SHBA-të janë të shqetësuara për veprimet e qeverisë në detyrë dhe lëvizjet që kanë rritur tensionet, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e serbëve në Kosovë.
Kështu ka deklaruar e Ngarkuara me Punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, gjatë një bashkëbisedimi për mediat lokale serbe në Kosovë duke theksuar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e serbëve në Kosovë dhe pret qe ajo ti sigurojë serbëve mundësitë e barabarta dhe përfaqësimin në jetën politike.
“Qeveria e Kryeministrit në detyrë Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë banorëve të Kosovës dhe Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.”-theksoj Prattipati.
Në anën tjetër, Prattipati ka thënë se edhe nga serbët e Kosovës pritet që të marrin përgjegjësinë për ndihmë në ndërtimin e një Kosovë më të qëndrueshme dhe të begatë.
“Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”, tha ajo.
Deklaratat e te ngarkuarës me punë të SHBA-së në Kosovë lidhur me trajtimin e serbëve në veri janë intensifikuar në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në vend, ku ndryshe nga zgjedhjet e fundit, lista serbe do të marrë pjesë.
/abcnews.al/

