E marta e 5 e pelegrinazhit në kishën e Shna Ndout, Covid-19 “harrohet” nga besimtarët

schedule16:08 - 14 Prill, 2020

schedule 16:08 - 14 Prill, 2020

Në rrugën që të çon në kishën e Shna Ndout në Laç, duken dhjetra besimtarë që sfidojnë virusin e ri. Edhe pse jo në shifra të larta si në kohë normale më të devotshmit nuk i ka ndalur aspak pandemia që dhe këtë të martë të pestë të vijojnë pelegrinazhin.

Disa me mjete mbrojtëse e të tjerë pa to kanë falenderuar dhe i janë lutur shenjtorit për të afërmit që i kanë larg.

“Unë kam qenë të gjitha të martat, ka ardhur në këmbë, nga shtëpia deri këtu. Nusën e kam greke, por është shumë besimtare”, shprehet një qytetare.

Ndërsa një tjetër qytetar thotë se për të është një vend i bekuar dhe lutet për fëmijët.

Edhe prifti Mirash Marinaj i thotë se në këtë periudhë një ditë e tillë me pak njerëz nuk është një pelegrinazh i mirëfilltë. Megjithatë ai inkurajon besimtarët me këto fjalë.

“Pavarësisht se rreziku në këtë kohë është mjaft i madh, por një lutje njerëzve i bën shumë mirë. Urimi është të mos keni frikë, sepse gjithçka është në dorën e zotit”, u shpreh prifti Mirash Marinaj.

Përgjatë gjithë paradites besimtarët kanë hyrë në ambientet e kishës kanë ndezur qirinj dhe janë lutur. E më pas kanë dalë shpirtërisht më të qetë dhe me ca brenga më pak./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!