E konfirmon Agim Ademi: Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit do të luhet me tifozë në “Fadil Vokrri”

schedule17:01 - 7 Nëntor, 2023

schedule 17:01 - 7 Nëntor, 2023

Futbollistët e Kosovës dhe Izraelit do të shkelin në fushën e gjelbër të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 12 nëntor.
Në përkrahje të tyre do të jenë edhe rreth 14 mijë tifozë, nëse shiten të gjitha biletat.
Pra, ndeshja do të zhvillohet me praninë e tifozëve, vendim të cilin e konfirmoi për “REL” presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
“Pas mbledhjes me UEFA-n, është marrë vendimi që ndeshja të zhvillohet me tifozë”, tha Ademi.
Ai shtoi se do të merren të gjitha masat e parashikuara me rregulloret e UEFA-s, që ndeshja të mos përcillet me ndonjë incident të mundshëm.
Mundësia që ndeshja të zhvillohej pa praninë e tifozëve u përfol në rrjetet sociale, pasi Kosova – vend me shumicë myslimane – do të mund të gjobitej dhe ndëshkohej nga UEFA, nëse në stadium do të ndodhte ndonjë incident, shkaku i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit militant që kontrollon Rripin e Gazës.
Ndeshja e 12 nëntorit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2024, fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej më 15 tetor, por ajo ishte shtyrë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Personave që kishin blerë biletat për ta parë ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit, u ishin kthyer paratë pak ditë pas shtyrjes.
Por, presidenti i FFK-së tha për “REL” se biletat do të dalin sërish në shitje “brenda një ose dy orësh”.
Ademi tha se i takon Policisë së Kosovës që t’i marrë masat e duhura të sigurisë, në mënyrë që të mos lejohet ndonjë incident.
Ndeshja në “Fadil Vokrri” do të jetë ndeshja e parë për Kombëtaren e Izraelit që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!