Ish shefi i sigurisë së Brendshme të burgut në Durrës, Bledar Toçi, është liruar me detyrim paraqitje.
Burime për abcnews.al bëjnë me dije se vendimi është marrë nga Gjykata e Kavajës dhe se paraqitja është vendosur dy herë në muaj. Toçi u arrestua në 2019 si autor i vrasjes së Dritan Hoxhollit.
Lexo edhe: “Ti qënke dashnori i kësaj…”: Bledar Toçi tregon çfarë ndodhi brenda banesës në Kavajë
Në tetor të vitit të shkuar Kavaja u trondit nga një krim i rëndë ku nga një përplasje me armë mbeti i vrarë Dritan Hoxholli, ndërsa u plagosur pikërisht Bledar Toçi, i cili më pas u arrestua nga policia.
Ngjarja ndodhi në shtëpinë e Marsida Qatjas pasi Hoxholli u fut aty i armatosur pas një konflikti të mëparshëm me gruan.
Ngjarja sipas dosjes së prokurorisë
Nga materialet e para referuese të Prokurorisë, rezulton se shtetasja Marsida Qatja jeton në një apartament në lagjen nr.2, Kavajë. Më datë 9 tetor 2019, ajo ka takuar shtetasin Bledar Toçi, me të cilin ka njohje shoqërore dhe i ka treguar për një problem të sajin në lidhje me shtetasin Dritan Haxholli. Shtetasi Bledar Toçi ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe i ka thënë Marsidës se do të vinte ai te shtëpia e saj.
Ndërkohë, në orët e pasdites, te shtëpia e Marsidës kanë shkuar shtetasit, Ermir Çela, Xhulio Biturku, Bledar Toçi, të cilët janë lidhje shoqërore e Marsidës dhe kanë konsumuar aty lëndë narkotike, kokainë, të cilën ua ka sjellë shtetasi Bernard Toçi. Edhe në darkë, rreth orës 20:30, shtetasi Xhulio Biturku dhe Ermir Çela kanë qëndruar në shtëpinë e Marsidës, ndërsa shtetasi Bledar Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash, ku ka siguruar lëndë narkotike dhe të gjithë së bashku kanë ngrënë darkë dhe kanë konsumuar pije alkoolike, birra dhe më pas lëndë narkotike.
Rreth orës 00:30, te shtëpia e Marsidës ka shkuar shtetasi Dritan Haxholli, i cili fillimisht ka trokitur te dritarja e katit të parë. Shtetasja Marsida Qatja i ka hapur derën kryesore dhe shtetasi Dritan Haxholli ka hyrë brenda dhe në duar mbante një armë zjarri, automatik model 56, të cilin fillimisht ia ka drejtuar shtetasit Xhulio Biturku, duke i thënë: “… me ty kam punë pastaj“.
Më pas i është drejtuar shtetasit Bledar Toçi dhe i ka thënë: “Pse ma bën ti këtë?”. Pasi ka thënë këto fjalë, shtetasi Dritan Haxholli ka qëlluar në drejtim të shtetasit Bledar Toçi, i cili ka marrë një plagë në anën e djathtë të fytit. Në vijim, edhe shtetasi Bledar Toçi, me armën e tij të shërbimit, të markës “Glock”, ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Dritan Haxholli, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend. /abcnews.al