Viti i ri shkollor, Shahini: Kemi disa skenarë, vendimin e merr Task Forca për Covid

schedule20:00 - 17 Gusht, 2020

schedule 20:00 - 17 Gusht, 2020

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, ka reaguar në lidhje me dilemën e prindërve dhe të nxënësve për nisjen e vitit të ri shkollor.

Shahini përmes një video video-mesazhi është shprehur mbi çështjen e fillimit të ri shkollor duke nënvizuar se vendimi mbi skenarin e tij do të merret nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë:

Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, është shprehur Shahini.

LEXO EDHE: Viti i ri shkollor në Shqipëri, prindër dhe nxënës të paqartë, ministria pa plan

Ndërkohë, ajo bën thirrje që secili prej nesh të shtojë kujdesin në këtë situatë të pazakontë pandemie, duke mbajtur maskat, shtuar higjienën personale dhe ruajtur distancën sociale.

Në këtë formë, sipas Shahinit, do të rriten edhe shanset për t’u rikthyer në bankat shkollore:

Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore”, ka thënë ministrja.

Ndër të tjera, teksa përmend se janë duke u parë edhe vende të ndryshme, Znj. Shahini nënvizon faktin se MASR është duke punuar fort për të qenë të përgatitur për çfarëdo lloj skenari: “Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë disa për shkak të shpërndarjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor”, cilëson ajo.

Gjithashtu ministrja thekson se “në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!