Lirohen masat kufizuese

schedule12:15 - 11 Prill, 2021

schedule 12:15 - 11 Prill, 2021

Ndryshon ora policore. Nga dita e nesërme Shqipëria nuk do të mbyllet më në orën 20:00, por në 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Gjithashtu janë rihapur fluturimet me Britaninë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se në lirimin e masave janë marrë parasysh disa faktorë duke filluar nga ulja e numrit të infektuarve dhe fataliteteve, fluksit në spitale, por edhe muaji i Ramazanit që nis në 13 prill.

Komiteti ka vendosur sot; Të zgjasë orën e lejuar të qarkullimit të qytetarëve nga 20:00 në 22:00 nga dita e nesërme, 12 prill. Po kështu zgjatet me 2 orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve. Por e theksoj se nuk ndryshon asgjë nga protokollet e sigurisë.

 

Do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat. Masa fillon nga dita e hënë. Impkati do të monitorohet në vazhdimësi për një periudhë 2 javore. Gjithashtu Komiteti ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Britaninë. Kemi pasur edhe një arsye tjetër që na ka motivuar në vendimin tonë, lehtësimi i agjërimit për besimtarët myslimanë që nis në 13 prill” tha ministrja.

Ogerta Manastirliu u kërkoi qytetarëve gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve që të respektojnë masat anti-COVID-19, pasi shumë vende, mes të cilëve edhe fqinjët kanë shtrënguar oraret dhe aktivitetet.

Masat tona kanë qenë të një natyre të shënjestruar më shumë sesa tërësore si në shumë vende, por këto masa kanë bërë që ne të shmangim situata me shifra të larta, që përndryshe pa marrjen e tyre do të kishin qenë akoma më të larta dhe kosto më të mëdha, por edhe një ngarkesë të sistemit shëndetësor që e kemi shmangur.

Nuk ka asnjë vend për të ulur vigjilencën apo shmangur masat e thjeshta. Paralelisht po vijojmë me vaksinimin masiv. Sot janë më shumë se 182 mijë të moshuar të vaksinuar me dozën e parë. Kemi përfunduar mjekët dhe mësuesit, po vazhdojmë me policët.

Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme me një tendencë në rënie të incidencës, por edhe sa i përket %, në dy javët e fundit ka renë me 12%, edhe shtrimet në spitale kanë rënie. Spitali COVID-4 nuk ka të shtruar në 4 ditët e fundit por është në gatishmëri.

Aktualisht niveli i shfrytëzimit të shtratit është nën 30%, ndërsa terapia intensive nën 13%. Në vlerësim të situatës së 6 javëve të fundit duke vlerësuar të gjithë indikatorët, por edhe muajin e Ramazanit komiteti vendosi zgjatjen e orës policore” përfundoi ministrja.

Masat e reja që u vendosën sot nga Komiteti i Ekspertëve do të jenë në fuqi deri ditën e zgjedhjeve, 25 Prill./ db/ Abcnews.al