Caktohet detyra e re për Arta Markun

schedule13:03 / 12/12/2019

KLP vendosi të transferojë Arta Markun në Prokurorinë e Apelit të Tiranë. Vendimi u mor mesditën e sotme me 11 vota pro dhe asnjë kundër nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ajo mbajti për dy vite detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Dhjetori i Arta Markut

Si asnjëhere më parë Parlamenti i Shqipërisë, votoi më 18 Dhjetor 2017 Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Mes flakandëve dhe shashkave të opozitës, Gramoz Ruçi hapi votimin e fshehtë dhe 69 vota të deputetëve të mazhorancës, mjaftuan për ta vendosur Arta Markun në krye të akuzës. Me një zë të vakët ajo tha “betohem” dhe u largua me shpejtësi nga salla e kaosit. Opozita e shenjëstroi që në krye të herët, duke e akuzuar si prokurore politike. Arta Marku edhe pse u votua si PPP (Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme) qendroi plot dy vite në këtë detyrë, që vetë e ka cilësuar si të vështirë për shkak se ishte e shenjestruar nga opozita.

Ajo garoi për një mandat të plotë në krye të akuzës, por kësaj radhe deputetët votuan Olsian Çelën. Ky i fundit, duket se dhe ka “konsensusin” e opozitës që tashmë nuk është më në parlament.

Dhjetori 2019 shënjon sërish karrieren e Arta Markut. Ajo do ta vazhdojë karrieren ne Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe nuk do të kthehet më në Shkodër, siç ka ndodhur me disa të tjerë që kanë humbur vendin e punës. Si Donika Prela për shembull, nga Krimet e Rënda, do të kthehet sërish si prokurore e thjeshtë në Durrës.

/abcnews.al

 

schedule13:03 / 12/12/2019