Vllaznia nesër në “Loro Boriçi” luan një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një ekipi si Partizani, që nuk është larg në renditje. Para kësaj beteje në konferencë për shtyp foli sulmuesi i klubit shkodran, Haris Divaler. Boshnjaku ka kritika për mediet, që sipas tij flasin vetëm problemet e Vllaznisë dhe jo për elementet pozitive.
“Jam i kënaqur që jam bërë pjesë e këtij klubi me shumë histori në Shqipëri, klub në të cilin më kanë mirëpritur të gjithë. Nuk mund të them se jam 100 për qind i kënaqur me paraqitjet e mira sepse mund të bëj edhe më mirë, por jam i kënaqur që ekipi ka treguar një ecuri të jashtëzakonshme.
Do të doja një gol ndaj Partizanit, por e rëndësishme është që ekipi të paraqitet mirë. Unë shpresoj që të bëjmë të njëjtën gjë si ndaj Kastriotit, edhe nesër. Unë kam ardhur këtu të flas për ndeshjen e nesërme dhe nuk kam dëshire të flas për probleme të tjera.
Më vjen keq kur shoh që shumë media nuk flasin sesa mirë ka luajtur VIlaznia, por merren me çështje të tjera. Kemi bërë 13 gola, jemi ekip i ri dhe kryesojmë me meritë renditjen dhe presim më shumë mbështetje. Nuk mund të them se sa gola do të shënoj, e kam një objektiv, por nuk dua ta bej publik.
Pika më e fortë e kësaj skuadre është trajneri, që ka një eksperiencë shumë të madhe dhe atë eksperiencë e ka transmetuar tek ne. Na vjen keq që nuk i kemi pranë tifozët, por një tjetër pikë e fortë e jona është bashkëpunimi”, u shpreh Dilaver. /abcnews.al