Vlora këtë fundjavë është përballur me trafik të rënduar dhe fluks pushuesish në bregdet. Segmenti Vlorë-Orikum mbetet më i ngarkuari me një numër të lartë automjetesh dhe ku policia po punon me forca të shtuara.
E diela është kthyer në një problem për qarkullimin e mjeteve në jugun e vendit. Segmenti që paraqitet me fluks automjetesh ështeë nga Uji i Ftohtë në Radhimë dhe Orikum.
Në terren është angazhuar policia rrugore. Shefi i Qarkullimit për qarkun Vlorë Naun Doko është shprehur se në zonat problematike ku krijohet vazhdimisht trafik po monitorohet nga forca të shtuara.
Naun Doko, Shef i Qarkullimit në Vlorë: “Policia Rrugore në bashkëpunim edhe me Policinë e Rendit është prezente në rrugë, ditë e natë. E kontrollojmë të gjithë lëvizjen në rrugë në segmentet me ngarkesë dhe që ka risk për aksidente”.
Ai ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur vonesat në lëvizje.
Naun Doko, Shef i Qarkullimit në Vlorë: “Policimi në komunitet presupozohet që çdo qytetar të jetë polic se siguron veten e vet dhe të të tjerëve”.
Ngarkesa në trafik shkaktohet nga numri i madh i vizitorëve vendas dhe të huaj që po pushojnë në bregdetin jonian.
Pushues: “Shumë bukur. Është viti i tretë, më bukur s’bëhet”.
“Jemi të kënaqur”.
E njëjta situatë paraqitet edhe në kthim ku më i rënduar është segmenti Vlorë – Orikum.
Gazetar i ABC News: Elton Nika