TIRANË- Dy vite pas përplasjes me armë zjarri para një shkolle 9-vjeçare në fshatin Rrilë të Lezhës, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre personave që ishin proceduar dhe shpallur në kërkim për ngjarjen.
Kërkesa është paraqitur në gjykatë nga drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, pas përfundimit të hetimeve të kryera nga prokurorja e çështjes, Irena Sufja.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet nuk janë siguruar prova që implikojnë Vinçens Tukun, Kevin Ndokën dhe Amarildo Kola (Ndreca) në ngjarjen e ndodhur mëngjesin e 6 marsit 2024, ku mbeti i plagosur me armë zjarri Agron Puka.
Tre personat ishin nën hetim për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në këto kushte, Prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tyre, si dhe shuarjen e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj tre të dyshuarve me vendimin nr. 690-120, datë 9 mars 2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 6 marsit 2024, pranë shkollës 9-vjeçare në Rrilë, ku një përplasje me armë zjarri përfundoi me plagosjen e Agron Pukës.
Tashmë është Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ajo që do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për pushimin e procedimit.
Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, tre personat vijojnë të konsiderohen të dyshuar dhe jo fajtorë për veprat penale për të cilat ishin proceduar./abcnews.al

