Dy vite nga sekuestrimi i 324 kg kokainë në Durrës, arrestohen 4 persona. Bashkëpunuan me shoferin maqedonas

schedule10:28 - 5 Prill, 2023

schedule 10:28 - 5 Prill, 2023

SPAK njoftoi arrestimin e 4 personave, si të implikuar në trafikun e drogës në portin e Durrës. Bëhet fjalë për sasinë e madhe të lëndës narkotike, rreth 324 kilogram e 400 gram kokainë, e sekuestruar në qershor të 2021 në portin e Durrës. Aso kohe policia njoftoi se arrestoi shoferin maqedonas Nazif Ajroski, i cili drejtonte kamionin ku ishte fshehur lënda narkotike.

“Pas një hetimi të përbashkët disamujor dhe kryerjes së shumë veprimeve hetimore, në datën 03.04.2023 autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut arrestuan katër shtetas si të dyshuar për veprat penale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Nazif Ajroski në tentativën për të trafikuar përmes Portit të Durrësit të sasisë prej 324 kg e 400 gram kokainë, e sekuestruar në datën 18.06.2021.” thuhet në njotimin e SPAK.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.4 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurit Nazif Ajroski, shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimi i lëndëve narkotikëve”, në mënyrën e transportimit, e mbetur në tentativë,e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a,paragrafi i 1-ë, 22 dhe 28/4, 333/a paragrafi i 2-të dhe 334 pika 1 të Kodit Penal.

I pandehuri Nazif Ajroski është akuzuar për faktin e tentativës për të trafikuar nga Porti i Durrësit për në Itali të sasisë prej 324 kilogram e 400 gram lëndë narkotike të llojit kokainë, të paketuar në 300 (treqind) pako të mbështjella me natriban, lëndë narkotike e cila ishte vendosur në një hapësirës së përshtatur mbi serbatorin e një kamioni me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili drejtohej nga i pandehuri (kokainë e sekuestruar në datën 18.06.2021).

I pandehuri Ajroski u dërgua për gjykim dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka deklaruar fajtor për akuzat e mësipërme dhe e ka dënuar me 8 (tetë) vjet burgim.

Pas dërgimit për gjykim të të pandehurit Nazif Ajroski, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdoi hetimet në një proçedim penal të ndarë, për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Me qëllim zbulimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal u krijua një Skuadër e Përbashkët Hetimore mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë Themelore Publike të Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas një hetimi të përbashkët disamujor dhe kryerjes së shumë veprimeve hetimore, në datën 03.04.2023 autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut arrestuan katër shtetas si të dyshuar për veprat penale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Nazif Ajroski në tentativën për të trafikuar përmes Portit të Durrësit të sasisë prej 324 kg e 400 gram kokainë, e sekuestruar në datën 18.06.2021.

Falenderojmë Prokurorinë Themelore Publike të Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!