Dy vatra zjarri janë shfaqur mesditën e sotme në territorin e Kukësit, duke angazhuar shërbimet zjarrfikëse dhe punonjës të Bashkisë për shuarjen e flakëve.
Një prej vatrave është aktivizuar në Kodrën e Pecës, në fshatin Përbreg, pak kilometra larg qytetit të Kukësit. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në zonë dhe, sipas të dhënave paraprake, zjarri është vënë nën kontroll.
Vatra tjetër është shfaqur në fshatin Zapod, në një zonë të thellë malore. Situata paraqitet më problematike për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve.
Për shuarjen e zjarrit në Zapod janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga punonjës të tjerë të Bashkisë Kukës.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë dalë edhe banorët e fshatit, të cilët po kontribuojnë në përpjekjet për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Ndërhyrja vijon, ndërsa situata në të dyja vatrat po monitorohet nga shërbimet në terren.

