“Dy shqiptarë në reanimacion”, Abc News në spitalin e Larisës ku po trajtohen të plagosurit

schedule11:00 - 2 Mars, 2023

schedule 11:00 - 2 Mars, 2023

LARISA– Përplasja e dy trenave në Greqi la pas një numër të lartë viktimash dhe të plagosurish, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e trupave të djegur si pasojë e aksidentit të rëndë. Gazetari i Abc News, Arlind Isa prej ditës së djeshme ndodhet në vendin fqinj ku po ndjek nga afër zhvillimet e kësaj ngjarje tragjike.

Ai tha se në total janë shtatë shtetas shqiptarë që janë plagosur. Konkretisht, 20-vjeçarja Olta Kulla është operuar dhe gjendja e saj paraqitet e qëndrueshme. Dy të tjerët, Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeç janë në reanimacion në Spitalin e Larisës.

Teksa raportoi nga Spitali Universitar i Larisës, gazetari Isa referuar dhe informacioneve të autoriteteve, bën me dije se deri tani 47 persona kanë humbur jetën.

“Një pjesë e shqiptarëve të lënduar janë trajtuar dhe po trajtohen këtu në Larisa. Në aksident janë lënduar shtatë shtetas shqiptarë, të cilët janë vendosur në spitale të ndryshme në Selanik dhe Larisa.  Në Selanik janë tre dhe katër të tjerë në spitalin e Larisës. Dy shtetas shqiptarë në Larisa, kanë hyrë në reanimacion dhe një i tretë ka pasur shenja të lehta lëndimesh. Janë të shtruar  në spital në total 23 të lënduar dhe të plagosur nga aksidenti i mbrëmjes së pardjeshme ku në total kanë humbur jetën 47 perona”, tha ai/abcnews.al